Fluturimet nga Emiratet e Bashkuara Arabe kanë nisur gradualisht të rifillojnë pas ndërprerjeve të shkaktuara nga tensionet në rajon, ndërsa autoritetet e aviacionit kanë vendosur operime të kufizuara për të lejuar largimin e pasagjerëve të bllokuar.
Fluturimi i parë që u nis pas mbylljes së hapësirës ajrore ishte një avion i kompanisë Etihad drejt Londrës, i cili u ngrit nga Aeroporti Ndërkombëtar Zayed në Abu Dhabi rreth mesditës me orën europiane.
Autoriteti i Aviacionit Civil njoftoi se janë vendosur fluturime të jashtëzakonshme në disa aeroporte të vendit, me qëllim evakuimin e udhëtarëve të prekur nga zhvillimet e fundit në rajon.

Këto fluturime nuk janë të hapura për rezervime të reja, pasi kompanitë ajrore po kontaktojnë drejtpërdrejt pasagjerët që kishin bileta të mëparshme dhe u japin atyre detajet për nisjen.
Ndër destinacionet e para që janë realizuar përfshihen qytete europiane, aziatike dhe të Lindjes së Mesme, ndërsa itineraret po devijohen përmes Omanit dhe Arabisë Saudite për arsye sigurie.
Kompania Emirates ka njoftuar se do të rifillojë gradualisht fluturimet duke u dhënë përparësi pasagjerëve që kishin rezervime ekzistuese.
Ndërkohë, sulmet dhe tensionet në rajon kanë shkaktuar kaos në trafikun ajror në të gjithë Gjirin, duke lënë mijëra udhëtarë të bllokuar në vende si Emiratet, Katari, Bahreini dhe Kuvajti.
Disa shtete vijojnë të mbajnë të mbyllur hapësirën ajrore, ndërsa kompani të mëdha ajrore kanë anuluar ose riplanifikuar fluturimet drejt destinacioneve të rajonit.
Në këtë situatë, kërkesa për fluturime private është rritur ndjeshëm, pasi një pjesë e udhëtarëve po përpiqen të largohen nga rajoni përmes rrugëve alternative.
Situata mbetet dinamike dhe operimet ajrore pritet të përshtaten në varësi të zhvillimeve të sigurisë në ditët në vijim. /skyweb.al
















