Sipas operatorëve turistikë, Dubai, një nga pikat më të rëndësishme të fluturimeve për në Bali, Singapor apo Tajlandë, po ndikohet nga situata e paqëndrueshme në rajon, duke bërë që një pjesë e udhëtimeve të vendosen në pritje.
Përfaqësues të agjencive tregojnë se rezervimet për periudhën e marsit, sidomos gjatë pushimeve zyrtare, janë lënë pezull për shkak të zhvillimeve që ndryshojnë me ritëm të shpejtë.
Sipas tyre, qytetarët kërkojnë më shumë informacion dhe garanci për sigurinë përpara se të konfirmojnë udhëtimet, pasi turizmi mbetet një sektor shumë i ndjeshëm ndaj krizave gjeopolitike.
“Ne Dubain e përdorim jo vetëm për turistët që shkojnë në Dubai, por si një zonë tranziti për të shkuar drejt Balit, Singapore, Tailandës dhe vendeve të tjera, sepse është një aeroport shumë i rëndësishëm.
Duke qenë situate e tillë ne i kemi lënë gati pezull, madje kam rezervime për në mars, në këto data e pushimeve zyrtare, janë lënë thjeshtë pezull, sepse situate update çdo 24 orë,” u shpreh Klodiana Çobo për TVScan.
Operatorët theksojnë se interesi për udhëtime nuk është zhdukur, por po shoqërohet me një kujdes më të madh dhe me vendime të shtyra në kohë.
Nëse situata vijon të mbetet e paqartë, pritet që gjatë muajve në vijim të ketë një rregullim të planeve të udhëtimit dhe një ritëm më të moderuar të rezervimeve për destinacionet e rajonit.
Ndërkohë, siguria vijon të mbetet kriteri kryesor në zgjedhjen e destinacionit, ndërsa tregu turistik po përshtatet në kohë reale me zhvillimet në Lindjen e Mesme, duke reflektuar ndjeshmërinë e lartë të sektorit ndaj çdo tensioni ndërkombëtar. /skyweb.al
















