Me kërkesë të shoqatës Proeksport Albania dhe me mbështetjen e deputetëve nga të dy krahët politikë në Komisionin e Ekonomisë është zhvilluar një dëgjesë parlamentare e drejtuar nga kryetarja e komisionit, Milva Ekonomi.
Sipas një njoftimi të Proeksport Albania, kjo ishte një nga rastet e rralla kur përfaqësues të mazhorancës dhe opozitës u bashkuan për të diskutuar mbi problematikat e sektorit të eksportit dhe për të identifikuar masa konkrete mbështetëse.
Pas diskutimeve, u vendos që të përpilohet një letër zyrtare drejtuar Komisionit të Ekonomisë, ku do të përfshihen kërkesat emergjente dhe ato afatgjata të sipërmarrësve eksportues.
Sipas përfaqësuesve të sektorit, masat emergjente synojnë stabilizimin e situatës aktuale të eksportuesve. Ndër kërkesat kryesore është krijimi i një mekanizmi kompensues nga kursi i këmbimit për eksportuesit, rishikimi i Tatimit mbi të Ardhurat Personale në raport me pagën minimale për të shmangur efektin e ashtuquajtur “kërcim fiskal”, si dhe kompensimi i kontributeve të sigurimeve shoqërore për një periudhë tranzitore.
Në të njëjtën kohë, eksportuesit kanë paraqitur edhe një paketë masash afatmesme dhe afatgjata që synojnë transformimin e sektorit.
Mes tyre përfshihet rritja e mbështetjes për teknologji dhe inovacion përmes agjencisë AIDA, politika për uljen e kostove operative dhe përmirësimin e inputeve të prodhimit, si dhe rritja e normës së amortizimit për makineri dhe pajisje me qëllim nxitjen e investimeve.
Po ashtu është kërkuar vendosja e garancive shtetërore për financimin dhe likuiditetin e sektorit, si dhe masa që lidhen me menaxhimin e kostos sociale dhe ruajtjen e vendeve të punës në industrinë eksportuese. /skyweb.al
















