Parku Kombëtar i Lumit Vjosa po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë të apasionuar pas turizmit aktiv dhe eksplorimit të natyrës.
Për këtë arsye, një nga prioritetet kryesore është bërë investimi në vendosjen e sinjalistikës informuese, e cila i ndihmon vizitorët të orientohen më lehtë dhe të zbulojnë shtigjet apo pikat kryesore të parkut.
Kryeministri Edi Rama vlerësoi sot se investimet në informim dhe orientim janë thelbësore për zhvillimin e ekoturizmit të përgjegjshëm dhe për të ofruar një përvojë më cilësore për çdo vizitor.
“Parku Kombëtar i Lumit Vjosa, me një sipërfaqe prej mbi 12.7 mijë hektarësh, është unik në llojin e tij dhe përfaqëson një nga pasuritë natyrore më të veçanta të vendit”, u shpreh Rama.
Ai theksoi se sinjalistika e re e vendosur në park jo vetëm ndihmon vizitorët të orientohen dhe të zbulojnë më lehtë shtigjet dhe pikat kryesore, por gjithashtu u ofron atyre informacion mbi rëndësinë e biodiversitetit, ekosistemin e rrallë të lumit të egër dhe domosdoshmërinë për ta mbrojtur atë. /skyweb.al
















