Me përshkallëzimin e konfliktit në Lindjen e Mesme, Ngushtica e Hormuzit është shndërruar në një nga pengesat kryesore për tregtinë globale të naftës.
Industria ndërkombëtare e transportit detar e ka klasifikuar këtë zonë si “zonë lufte”, ndërsa rreth 1 000 anije janë bllokuar në rajon për shkak të tensioneve dhe operacioneve ushtarake në Lindjen e Mesme.
Kjo ngushticë konsiderohet një nga arteriet më të rëndësishme të transportit energjetik në botë, pasi përmes saj kalojnë çdo ditë rreth 20–21 milionë fuçi naftë, që përfaqësojnë mbi 25–30% të tregtisë globale të naftës bruto të transportuar me rrugë detare.
Përveç kësaj, përmes saj qarkullon edhe rreth 20% e gazit natyror të lëngshëm (LNG) në nivel botëror.
Sipas Lloyd’s Market Association në Londër, vlera e anijeve të bllokuara në zonë tejkalon 25 miliardë dollarë, ndërsa afërsisht gjysma e tyre transportojnë naftë dhe gaz.
Trafiku detar është reduktuar pothuajse në minimum për shkak të situatës së sigurisë. Analiza e sinjaleve të navigimit në ujë tregon se lëvizja e anijeve ka rënë në nivele njëshifrore, me vetëm dy tranzite tregtare të konfirmuara gjatë 24 orëve të fundit.
Bashkimi Evropian e ka cilësuar situatën si “jashtëzakonisht shqetësuese” për sigurinë detare dhe ka vendosur në gatishmëri të lartë misionet e saj detare, përfshirë Operation Aspides dhe Operation Atalanta.
Ndërkohë, Irani pretendon se ka “kontroll të plotë” mbi ngushticën dhe deklaron se ka goditur një cisternë amerikane nafte në Gjiri Persik.
Shpallja e Ngushticës së Hormuzit, Gjirit të Omanit dhe Gjirit Persik si zona lufte u jep detarëve nivelin më të lartë të mbrojtjes: ata kanë të drejtë të refuzojnë hipjen në anije, të riatdhesohen me shpenzimet e pronarit të anijes dhe të përfitojnë bonuse apo pagesa shtesë për rrezikun.
Sipas International Maritime Organization (IMO), agjencia e OKB-së për sigurinë detare, rreth 20 000 detarë dhe 15 000 pasagjerë të anijeve turistike janë aktualisht të bllokuar në rajonin e Gjirit Persik.
Shoqata e siguruesve të Lloyd’s of London thekson se nga rreth një mijë anijet e bllokuara në zonë, afërsisht gjysma transportojnë naftë dhe gaz, gjë që mund të ketë pasoja serioze për tregjet globale të energjisë.
“Bashkimi Evropian po e ndjek nga afër situatën. Jemi jashtëzakonisht të shqetësuar për sigurinë detare, veçanërisht në Ngushticën e Hormuzit”, deklaroi përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikën e jashtme, Kaja Kallas.
















