Nxjerrja e inerteve nga lumenjtë vijon të mbetet një nga problemet më të ndjeshme mjedisore në vend, duke shkaktuar prej vitesh dëmtime serioze në shtratin natyror të lumenjve dhe në ekosistemin përreth tyre.
Së fundmi, akuza të reja janë ngritur ndaj kompanisë ANK, në pronësi të biznesmenit Agim Kola, për aktivitet të dyshuar të nxjerrjes së inerteve në zonën pranë urës së Milotit sipas vna.al.
Ky aktivitet, nëse rezulton i vërtetë, mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta në stabilitetin e shtratit të lumit, duke rritur rrezikun e përmbytjeve dhe duke dëmtuar rëndë ekuilibrin natyror të zonës.
Rasti bëhet edhe më i ndjeshëm për shkak të rolit të kësaj kompanie në projekte të mëdha infrastrukturore në vend.
ANK është një nga kompanitë që po punon në ndërtimin e segmentit rrugor Librazhd-Prrenjas, një aks i rëndësishëm që pak kohë më parë u bë objekt debati publik pasi një pjesë e rrugës u shemb, duke bllokuar për një periudhë të gjatë qarkullimin drejt juglindjes së vendit.
Ngjarja ngriti pikëpyetje mbi cilësinë e punimeve dhe mbi mënyrën se si monitorohen projektet infrastrukturore me kosto të lartë për buxhetin e shtetit.
Denoncimet për nxjerrjen e inerteve pranë urës së Milotit shtojnë më tej shqetësimet mbi mënyrën se si operojnë disa kompani të mëdha ndërtimi në Shqipëri, ndërsa kontrollet institucionale shpesh duken të dobëta ose mbeten vetëm në letër.
Deri tani nuk ka pasur asnjë reagim publik nga institucionet përgjegjëse për mbrojtjen e mjedisit apo nga autoritetet lokale për të sqaruar nëse aktiviteti i raportuar kryhet me leje apo në kundërshtim me ligjin. /skyweb.al
















