Çmimet ndërkombëtare të naftës kanë kapërcyer pragun e 100 dollarëve për fuçi, duke shënuar një rritje prej më shumë se 25% brenda pak ditësh. Tregjet globale po reagojnë ndaj përshkallëzimit të tensioneve në Lindjen e Mesme dhe frikës për ndërprerje të furnizimit me energji, raporton Financial Time.
Sipas raportimeve të Reuters, kjo konsiderohet rritja më e fortë e çmimeve që nga kriza energjetike e vitit 2022.
Nafta e referencës globale Brent është rritur në intervalin 108–116 dollarë për fuçi, ndërsa nafta amerikane West Texas Intermediate (WTI) ka kaluar nivelin e 105 dollarëve për fuçi. Rritja lidhet kryesisht me tensionet në rajonin e Gjirit, të cilat kanë shtuar pasigurinë për furnizimin global.
Tregjet janë veçanërisht të ndjeshme për shkak të situatës në Ngushticën e Hormuzit, një korridor detar strategjik përmes të cilit kalon rreth 20% e furnizimit botëror me naftë. Çdo pengesë në qarkullimin e cisternave në këtë zonë mund të ndikojë ndjeshëm në ofertën globale.
Ndërkohë, vendet e G7 po shqyrtojnë mundësinë e një ndërhyrjeje të koordinuar në treg përmes lirimit të rezervave strategjike të naftës, në bashkëpunim me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA). Kjo masë synon të frenojë rritjen e çmimeve dhe të stabilizojë tregun. Sipas raportimeve, disa vende anëtare mbështesin një skenar që parashikon hedhjen në treg të 300 deri në 400 milionë fuçive nga rezervat emergjente, nëse situata përkeqësohet.
Megjithatë, drejtori ekzekutiv i IEA-s, Fatih Birol, ka deklaruar se “të gjitha opsionet mbeten në tryezë”, por aktualisht nuk është marrë një vendim për ndërhyrje të përbashkët. Ai theksoi se tregu global i naftës vazhdon të ketë furnizime të mjaftueshme.
Analistët paralajmërojnë se nëse tensionet në rajonin e Gjirit vazhdojnë dhe transporti i naftës mbetet i kufizuar, çmimet mund të qëndrojnë mbi 100 dollarë për fuçi për një periudhë më të gjatë. Një skenar i tillë do të rrisë presionet inflacioniste dhe mund të ndikojë negativisht në ekonominë globale.
















