Kryeministri Edi Rama konfirmoi se deputetja Belinda Balluku do të vijojë të ketë rolin e drejtuese politike të Partisë Socialiste në qarkun e Fierit, edhe pas largimit nga funksionet e saj në qeveri.
Deklarata u bë gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PS-së, ku Rama theksoi se Balluku do të vazhdojë të mbajë përgjegjësinë politike në këtë qark dhe të koordinojë strukturat e partisë në territor.
Sipas tij, Balluku është një nga figurat që mban lidhje të forta me bazën dhe strukturat lokale të partisë.
Rama pranoi se edhe brenda radhëve të socialistëve ka mendime të ndryshme mbi arsyet e suksesit elektoral të Ballukut në Fier, duke theksuar se disa e lidhin këtë me pushtetin që ajo ka ushtruar gjatë kohës që ishte në qeveri.
Megjithatë, ai tha se kjo është një çështje që do të provohet në zgjedhjet e ardhshme lokale.
Kryeministri u ndal edhe tek situata ligjore e Ballukut, duke deklaruar se nuk ka ndërmend të ndërhyjë në procesin e drejtësisë apo të shkelë atë që ai e quajti “vijë të kuqe” në raport me pavarësinë e institucioneve të drejtësisë.
Rama theksoi se çështja e pafajësisë ose fajësisë së saj i takon ekskluzivisht institucioneve të drejtësisë dhe se mbrojtja ligjore e Ballukut duhet të bëhet nga avokati i saj në proces.
Megjithatë, ai vlerësoi edhe punën e saj gjatë kohës që ka drejtuar sektorë të rëndësishëm të qeverisë, duke përmendur transformimet e realizuara në fushat që ajo ka pasur në përgjegjësi. /skyweb.al















