Rreth 2.962 shtetas shqiptarë jetojnë si rezidentë në rajonin e Lindjes së Mesme, ndërsa 543 të tjerë ndodhen atje si udhëtarë. Të dhënat u bënë të ditura nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, gjatë raportimit në Komisionin parlamentar për Evropën dhe Punët e Jashtme mbi masat e ndërmarra për mbrojtjen dhe asistencën ndaj qytetarëve shqiptarë në këtë rajon.
Sipas tij, përshkallëzimi i situatës së sigurisë në Lindjen e Mesme ka sjellë shqetësime edhe për Shqipërinë në aspektin politik dhe humanitar, pasi në vendet e prekura nga kriza jetojnë dhe punojnë shumë shtetas shqiptarë. Për këtë arsye, siguria e tyre mbetet një prioritet i Qeverisë Shqiptare dhe i Shërbimit të Jashtëm.
Ministri bëri të ditur se që në fillim të krizës është ngritur një shtab i posaçëm në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, i cili funksionon në mënyrë të pandërprerë, 24 orë në ditë. Ky shtab, në bashkëpunim me drejtuesit e ministrisë dhe në koordinim të vazhdueshëm me përfaqësitë diplomatike shqiptare në rajon, ndjek çdo zhvillim dhe mban kontakte të drejtpërdrejta me qytetarët shqiptarë për t’u ofruar informacion, këshillim dhe asistencë.
Sipas të dhënave të prezantuara, ambasadat shqiptare kanë arritur të kontaktojnë individualisht 2.511 shtetas shqiptarë. Nga këta, 138 shtetas kanë shprehur interes për t’u larguar nga zona e konfliktit, ndërsa 703 shtetas janë asistuar ose udhëzuar për t’u larguar përmes formave të ndryshme të transportit.
Deri më tani, 24 shtetas janë larguar individualisht, ndërsa 45 të tjerë janë planifikuar të largohen në mënyrë individuale përmes rrugëve të sigurta të transportit. /skyweb.al















