Një nga kompanitë më të mëdha të grumbullimit të fruta perimeve në vend, Top Fruits është në telashe.
Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural e ka paditur Top Fruits në gjykatë duke i kërkuar të kthejë mbrapsht 1.5 milionë euro, para të marra nga grantet e IPARD.
Kapitali publikon dokumentin e padisë, ku AZHBR i kërkon kompanisë më të mandhe të grumbullimit të fruta perimeve në vend të kthejë shumën e grantit të përfituar në vitin 2019, së bashku me penalitetet përkatëse.

Në tetor të vitit 2019 Top Fruits, e cila në atë kohë mbante emrin Doni Fruits, aplikoi për mbështetje nga grantet e Bashkimit Europian dhe ato të qeverisë shqiptare për ndërtimin e një pike grumbullimi për fruta perimet në zonën e Lushnjes.
Investimi për ngritjen e pikës së grumbullimit parashikohej në masën 230 milionë lekë, nga të cilat 86 milionë lekë u financuan nga granti i IPARD dhe 28.7 milionë nga granti i buxhetit të shtetit.
Në total kompania përfitoi 114.7 milionë lekë ose 1.2 milionë euro me kursin aktual.
Por së bashku me kamatvonesat, shuma që i kërkohet të kthehet kësaj kompanie është mbi 1.5 milionë euro.
Top Fruits u themelua në vitin 2013 nga Burim dhe Ejup Ahmeti, dy shtetas nga Kosova. Për shumë vite ajo ka qenë një nga eksportuesit më të mëdhenj të fruta-perimeve në Shqipëri duke eksportuar mesatarisht deri në 10 milionë euro në vit. Paralelisht kompania ka qenë një nga përfituesit më të mëdhenj të fondeve publike.
Në vitin 2021, deputeti i PS-së, Erion Braçe shkruante në rrjete sociale se pronari i saj ka pikën më të madhe të eksporteve, por me ndihmë të madhe nga qeveria. I ka dhënë afër 100 milionë lekë të reja, plus rrugën nga FSHZH, plus linjë të dedikuar për energjinë, plus linjë të dedikuar për ujin.
Megjithatë pas vitit 2022, kompania filloi të rrudhej me shpejtësi. Në vitin 2023, shitjet e kompanisë ranë me më shumë se dy herë krahasuar me vitin paraardhës duke zbritur në 5 milionë euro.
Në fund të këtij viti, gjysma e aksioneve të Doni Fruits u shitën për një vlerë prej rreth 1.5 milionë eurosh.
Menjëherë pas shitjes emri i kompanisë u ndryshua nga Doni Fruits në Top Fruits.
Por as hyrja e ortakut të ri nuk e nxorri shoqërinë nga vështirësia financiare. Përkundrazi, vazhdoi të zhytej në një krizë të thellë financiare.
Për vitin 2024 shitjet e saj vazhduan pikiatën duke rënë në 3 milionë euro dhe pas këtij viti Top Fruits nuk ka më bilance të publikuara, por vetëm njoftime përmbarimore dhe sekuestro kuotash nga bankat dhe kreditorët e tjerë që kërkojnë të rekuperojnë borxhet.
Kjo situatë duket se e bën të vështirë që shteti të marrë mbrapsht grantin 1.1 milionë euro që iu dha kompanisë, i cili bashkë me penalitetet shkon në 1.5 milionë euro./kapitali
















