Presidenti amerikan Donald Trump paralajmëroi NATO-n se aleanca mund të përballet me një të ardhme “shumë negative” nëse vendet anëtare nuk kontribuojnë më shumë për të garantuar hapjen dhe sigurinë e Ngushticës së Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme në botë për transportin e naftës.
Në një intervistë për Financial Times, Trump i bëri thirrje edhe Kinës që të ndihmojë në këtë drejtim, duke theksuar se rreth 90% e naftës që ajo importon kalon pikërisht përmes kësaj ngushtice strategjike.
Ai shtoi se pret një reagim nga Pekini përpara udhëtimit të planifikuar në fund të muajit për t’u takuar me presidentin kinez Xi Jinping, një takim që sipas tij mund edhe të shtyhet.
Nga ana e saj, Kina reagoi duke i kërkuar Shteteve të Bashkuara të Amerikës të korrigjojnë menjëherë atë që Pekini e cilëson si praktika të padrejta tregtare.
Ndërkohë, Trump lëshoi edhe paralajmërime të reja ndaj Iranit, duke deklaruar se SHBA mund të godasë ishullin naftor Kharg brenda pesë minutash. Ai akuzoi gjithashtu Teheranin për përhapje dezinformimi duke përdorur inteligjencën artificiale.
Kompanitë e mëdha të naftës kanë paralajmëruar se kriza mund të përshkallëzohet më tej.
Ndërkohë, Izraeli vlerëson se lufta në rajon mund të zgjasë të paktën edhe tre javë, pasi sipas autoriteteve izraelite mbeten mijëra objektiva për t’u goditur. Gjatë natës, ushtria izraelite ndërmori një ofensivë të gjerë kundër Teheranit.
Irani ka deklaruar se nuk është i gatshëm për negociata dhe u ka bërë thirrje aleatëve të SHBA-së të shmangin veprime që mund të zgjerojnë konfliktin.
Ndërkohë janë raportuar edhe sulme me dronë ndaj Dubait, ku aktiviteti i aeroportit u pezullua përkohësisht.
Nga ana tjetër, Bashkimi Evropian po shqyrton mundësinë e forcimit të misionit detar Operazione Aspides, ndërsa Mbretëria e Bashkuar po mendon të dërgojë dronë për pastrimin e minave detare.
Kohëzgjatja e konfliktit në Gjirin Persik mbetet ende e paqartë.
Edhe pse Trump ka deklaruar disa herë se lufta mund të përfundojë shpejt, ai ka theksuar së fundmi se nuk është ende i gatshëm për një marrëveshje me Iranin, pasi kushtet – sipas tij – “nuk janë ende mjaftueshëm të mira”, megjithëse bisedimet mes palëve vazhdojnë.
















