Pagat rriten ndjeshëm në disa sektorë gjatë vitit 2025, kryeson tregu i pasurive të paluajtshme dhe hoteleria
Indeksi i pagave në tremujorin e katërt të vitit 2025 ka shënuar rritje në pjesën më të madhe të sektorëve të ekonomisë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, duke reflektuar zhvillimet në tregun e punës dhe kërkesën për punonjës në disa industri kyçe.
Rritja më e fortë është regjistruar në sektorin e pasurive të paluajtshme, ku pagat janë rritur me 30 për qind, duke u ndjekur nga sektori i hoteleve me një rritje prej 22.5 për qind. Këto dy sektorë rezultojnë të jenë motorët kryesorë të rritjes së pagave në këtë periudhë.
Në sektorin e transportit, magazinimit dhe postës, pagat janë rritur me 8.4 për qind, ndërsa i njëjti nivel rritjeje është shënuar edhe në agjencitë e udhëtimit. Rritje e konsiderueshme është regjistruar edhe në tregtinë me shumicë dhe pakicë, si dhe në riparimin e automjeteve, me 7.5 për qind.
Sektori i bareve dhe restoranteve ka shënuar një rritje prej 7.2 për qind, ndërsa aktivitetet ligjore dhe të kontabilitetit janë rritur me 6.1 për qind. Në aktivitetet e arkitekturës dhe inxhinierisë, pagat janë rritur me 4.9 për qind, ndërsa në sektorin e informacionit dhe komunikacionit rritja ka qenë më e moderuar, në nivelin 3.9 për qind.
Nga ana tjetër, jo të gjithë sektorët kanë ndjekur të njëjtin trend. Aktivitetet e sigurimit dhe hetimit kanë shënuar rënie të indeksit të pagave me 7.7 për qind, ndërsa sektori i administrimit të zyrave dhe mbështetjes administrative ka regjistruar një ulje edhe më të fortë, me 11.5 për qind.
Të dhënat tregojnë një zhvillim të pabarabartë të pagave mes sektorëve, ku turizmi dhe pasuritë e paluajtshme po përjetojnë rritje të fortë, ndërsa disa shërbime mbështetëse po përballen me tkurrje të nivelit të pagave. /skyweb.al















