Kontrollet në tregun e punës janë ashpërsuar ndjeshëm gjatë vitit 2025, me një rritje të dukshme të gjobave dhe masave ndëshkuese ndaj bizneseve që shkelin legjislacionin.
Sipas të dhënave zyrtare, gjatë vitit janë vendosur 268 gjoba për 285 shkelje të konstatuara, duke arritur një vlerë totale prej mbi 64.5 milionë lekësh. Krahasuar me një vit më parë, numri i gjobave është rritur me 28 për qind, ndërsa vlera e tyre me 20 për qind.
Vetëm rreth 45 për qind e gjobave janë ekzekutuar deri tani, ndërsa pjesa tjetër mbetet në proces për shkak të procedurave administrative dhe gjyqësore.
Tirana rezulton zona me nivelin më të lartë të ndëshkimeve, me 126 gjoba dhe rreth 23.3 milionë lekë në total. Pas saj renditet Shkodra, ku ndonëse numri i gjobave është më i ulët, vlera arrin në 15.2 milionë lekë. Në vendin e tretë është Vlora me rreth 9.7 milionë lekë gjoba.
Përtej masave ndëshkuese, kontrollet në terren kanë qenë të gjera. Gjatë vitit janë inspektuar mbi 9,500 subjekte, ndërsa mbi 8,000 prej tyre janë përzgjedhur mbi bazën e riskut. Në të njëjtën kohë, gati 20 mijë subjekte të reja janë këshilluar mbi detyrimet që burojnë nga ligji i punës.
Një tjetër tregues që bie në sy është rritja e ankesave nga punëmarrësit. Inspektimet e nisura pas ankesave janë rritur me 40 për qind, dhe në 70 për qind të rasteve vendimet kanë qenë në favor të punonjësve.
Paralelisht, janë shtuar ndjeshëm edhe paralajmërimet administrative, që kanë arritur në mbi 4,100 raste, ndërsa masat e pezullimit të aktivitetit kanë shkuar në 1,269 gjatë vitit.
Të dhënat tregojnë një intensifikim të kontrollit shtetëror mbi tregun e punës, me synim rritjen e respektimit të ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të punëmarrësve. /skyweb.al















