Industria globale e aviacionit po përballet me një tjetër goditje të fortë, teksa përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme po sjell ndërprerje fluturimesh, rritje të menjëhershme të kostove dhe presion të madh mbi kompanitë ajrore.
Sipas raportimit të Financial Times, ndikimi është i krahasueshëm me periudhën e pandemisë, ndërsa pasagjerët pritet të ndjejnë efektet direkt në çmimet e biletave.
Shkaku kryesor mbetet rritja e fortë e çmimit të karburantit, që përbën një pjesë të madhe të kostove operative dhe është rritur ndjeshëm pas sulmeve të fundit në rajon.
Drejtues të industrisë pranojnë se ritmi i rritjes së çmimeve është shumë i lartë për t’u përballuar nga kompanitë pa e reflektuar te klientët.
Kjo do të thotë se në muajt në vijim, udhëtimet ajrore pritet të bëhen më të shtrenjta, jo vetëm në Lindjen e Mesme, por edhe në tregje të tjera.
Në tregjet financiare, goditja është e menjëhershme.
Rreth 20 kompanitë më të mëdha ajrore në botë kanë humbur afro 53 miliardë dollarë në vlerë tregu që nga nisja e konfliktit. Në të njëjtën kohë, investitorët po shtojnë presionin, duke parashikuar rënie të mëtejshme të aksioneve.
Edhe pse sektori kishte hyrë në një fazë rikuperimi të fortë pas pandemisë, drejtuesit paralajmërojnë se rritja e çmimeve mund të ndikojë negativisht në kërkesën për udhëtime.
Shefi ekzekutiv i Lufthansa, Carsten Spohr, e ka bërë të qartë se marzhet janë shumë të ulëta për të përballuar këtë situatë, duke theksuar se fitimi mesatar për pasagjer mbetet minimal.
Ndikimi më i fortë po ndihet në vendet e Gjirit.
Kompanitë si Emirates, Etihad dhe Qatar Airways kanë reduktuar fluturimet për shkak të kufizimeve në hapësirat ajrore dhe rënies së fluksit të turistëve.
Situata po krahasohet nga ekspertët me pasojat e 11 shtatorit, kur udhëtimet ndërkontinentale pësuan rënie të ndjeshme.
Ndërkohë, kompanitë po përgatisin skenarë emergjentë edhe për mungesa të mundshme të karburantit.
Efektet janë shtrirë edhe në transportin e mallrave, ku zhvendosja e ngarkesave drejt avionëve ka rritur presionin mbi kapacitetet e aeroporteve.
Ekspertët paralajmërojnë se nëse situata zgjat, disa kompani mund të përballen me probleme serioze financiare, veçanërisht ato që nuk kanë mbështetje shtetërore. Megjithatë, mbetet një shpresë se një armëpushim i mundshëm mund të sjellë stabilizim të shpejtë të tregut. /skyweb.al















