Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se çmimi i naftës pritet të vijojë rritjen në tregun vendas, në kushtet e zhvillimeve të fundit në tregjet ndërkombëtare.
Gjatë fjalës në Asamblenë e Partisë Socialiste, ai bëri të ditur se qeveria ka vendosur një mekanizëm ndërhyrjeje për të frenuar rritjen e mëtejshme të çmimeve.
Sipas tij, në momentin që çmimi i naftës do të kalojë pragun prej 220 lekësh për litër, do të aplikohet automatikisht një ulje prej 20 për qind e akcizës së karburantit.
Rama theksoi se paralelisht është riaktivizuar edhe Bordi i Transparencës, i cili do të monitorojë çmimet dhe do të ndërhyjë për të shmangur abuzimet në treg.
Deklarata vjen në një kohë kur çmimet e karburanteve kanë shënuar rritje të vazhdueshme, ndërsa autoritetet paralajmërojnë për presione të mëtejshme në javët në vijim. /skyweb.al















