Një studim i ri shkencor sugjeron se gjendja e dhëmbëve mund të jetë një tregues i rëndësishëm për jetëgjatësinë, duke lidhur shëndetin oral me rrezikun për vdekje të hershme.
Kërkimi, i realizuar nga Universiteti i Osakas, ka analizuar të dhënat e mbi 190 mijë personave në Japoni, të gjithë mbi 75 vjeç, duke krahasuar gjendjen e dhëmbëve me rezultatet e tyre shëndetësore dhe jetëgjatësinë.
Sipas studimit, personat me më shumë dhëmbë të humbur apo të dëmtuar rezultojnë të kenë një rrezik më të lartë për të vdekur më herët, ndërsa ata me dhëmbë të shëndetshëm ose të trajtuar kanë një probabilitet më të ulët.
Studiuesit theksojnë se jo vetëm dhëmbët natyralë, por edhe ata të trajtuar apo të mbushur, konsiderohen faktor pozitiv në parashikimin e jetëgjatësisë.
Një nga arsyet kryesore lidhet me faktin se problemet dentare mund të shkaktojnë inflamacion kronik, i cili lidhet me sëmundje serioze si ato kardiovaskulare apo diabeti.
Gjithashtu, mungesa e dhëmbëve ndikon në ushqyerje, pasi individët kanë më shumë vështirësi në përtypje dhe shpesh orientohen drejt ushqimeve më të buta, por më pak ushqyese.
Megjithatë, studiuesit sqarojnë se lidhja nuk është domosdoshmërisht shkak-pasojë, pasi shëndeti dentar ndikohet edhe nga faktorë të tjerë si të ardhurat dhe aksesin në kujdes shëndetësor.
Pavarësisht kësaj, gjetjet tregojnë se kujdesi për dhëmbët mund të ketë ndikim më të gjerë në shëndetin e përgjithshëm dhe jetëgjatësinë./vice.com
















