Në një deklaratë zyrtare, kompania thekson se kredia e marrë nga Delphos është një marrëdhënie e zakonshme tregtare me një institucion financiar ndërkombëtar dhe nuk ka asnjë lidhje me pretendimet për ndikim rus në projekt.
Sipas MABCO, kjo kredi është marrë në emër të kompanisë dhe nuk cenon në asnjë moment strukturën e pronësisë apo kontrollin mbi Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës. Po ashtu, shlyerja e saj lidhet vetëm me aktivitetin ekonomik të kompanisë dhe nuk përbën mekanizëm për transferim asetesh strategjike.
Kompania sqaron se fondet dhe institucionet financiare ndërkombëtare janë multinacionale dhe operojnë në tregje globale, duke përfshirë investime në instrumente të ndryshme financiare, gjë që nuk mund të interpretohet si ndikim i ndonjë shteti të caktuar mbi projekte konkrete.
Për të mbështetur këtë qëndrim, MABCO referon edhe dokumente shoqëruese, përfshirë një opinion të kompanisë së auditimit BDO dhe një përgjigje nga vetë Delphos, të cilat sipas saj tregojnë se pretendimet për lidhje me fonde ruse janë të pabazuara.
Në reagim theksohet se interpretimi i marrëdhënieve financiare si ndikim gjeopolitik është i gabuar dhe nuk përputhet me praktikat standarde të tregjeve ndërkombëtare.
MABCO shton se do të vazhdojë të operojë në përputhje me kuadrin ligjor dhe standardet ndërkombëtare, duke paralajmëruar se do të ndjekë rrugë ligjore ndaj çdo publikimi që, sipas saj, cenon reputacionin e kompanisë përmes informacionit të pasaktë.
Reagimi i plotë
Në lidhje me një shkrim të publikuar së fundmi në disa media, i cili përpiqet të krijojë perceptimin e një ndikimi të pretenduar të huaj në projektin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, MABCO Constructions S.A. e konsideron të nevojshme të sqarojë opinionin publik mbi disa të pavërteta dhe spekulime të qarta. Në këtë material rikthehet edhe një herë teoria konspirative, sipas së cilës, aeroporti i Vlorës do t’i jepej rusëve, një histori e fabrikuar dhe e ricikluar nga palë të interesuara që qëndrojnë pas përpjekjeve për të grabitur dhe shpronësuar padrejtësisht MABCO. Kjo tezë është ndërtuar mbi një interpretim të qëllimshëm të marrëdhënies së kredisë me Delphos, duke tentuar ta paraqesë atë si një lidhje të paqenë me palë të treta ruse.
E njëjta skemë spekulative u artikulua që në fazat e para të përpjekjeve për rrëmbimin e projektit dhe po risillet sot në qarkullim në të njëjtën formë, për të ndikuar perceptimin publik në prag të zhvillimeve të rëndësishme ligjore. Për më tepër, fakti që ky material është marrë nga një media periferike e Prishtinës, po shpërndahet nga mediat e Shqipërisë, të cilat nuk i janë referuar kurrë më parë këtij burimi, me të njëjtin titull dhe përmbajtje, dëshmon qartë se nuk kemi të bëjmë me informim të pavarur, por me një përpjekje të koordinuar për të ndërtuar një narrativë të rreme që synon të mbulojë një grabitje të pastër që po i bëhet aksionerit që gëzon 98% të pronës.
Po ashtu, titulli dhe përmbajtja e këtij shkrimi janë tërësisht spekulative dhe nuk mbështeten në asnjë provë konkrete. Referencat ndaj strukturave financiare ndërkombëtare janë nxjerrë jashtë kontekstit dhe interpretuar në mënyrë të qëllimshme për të krijuar një narrativë të rreme.
Fakti që një fond ndërkombëtar investimi, i cili operon në tregjet globale, mund të ketë ekspozim në instrumente të ndryshme financiare, përfshirë edhe obligacione sovrane të shteteve të ndryshme, nuk përbën në asnjë mënyrë lidhje, ndikim apo kontroll të këtyre shteteve mbi projektin e Aeroportit të Vlorës. Në të njëjtën logjikë absurde, çdo investim në tregjet financiare ndërkombëtare mund të interpretohej si “ndikim gjeopolitik”.
Për më tepër, struktura financiare e përmendur në shkrim lidhet me një marrëdhënie kredie të zakonshme tregtare, e lidhur midis MABCO Constructions S.A. dhe një institucioni financiar ndërkombëtar. Kjo kredi është marrë në emër të MABCO dhe nuk cenon në asnjë moment strukturën e pronësisë apo kontrollin mbi Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës. Shlyerja e saj është e lidhur me aktivitetin ekonomik të kompanisë dhe nuk përbën asnjë mekanizëm transferimi të aseteve strategjike.
Fondet dhe institucionet financiare ndërkombëtare janë, nga natyra e tyre, multinacionale dhe përfshijnë investitorë nga një gamë e gjerë vendesh. Përpjekja për të reduktuar këtë realitet kompleks në histori të thjeshtuara dhe alarmuese përbën dezinformim të pastër.
Gjithsesi për të qartësuar opinionin publik, Mabco sjell në vëmendje dy dokumenta, të bashkangjitura, që kanë të bëjnë me një opinion të BDO, një prej kompanive me të mëdha të auditimit financiar, por edhe një përgjigje të vetë Delfos në lidhje me aludimet për fonde ruse. Dy dokumentat tregojnë edhe një herë se aludimet e raportuara në media janë shpifje dashakeqe.
Investimi në obligacione sovrane të vendeve të ndryshme ka qenë dhe mbetet praktikë standarde në tregjet globale financiare. Edhe institucione të mëdha financiare amerikane dhe europiane, si JPMorgan, Citigroup dhe Goldman Sachs kanë pasur për vite me radhë ekspozim të konsiderueshëm në borxhin sovran rus. Nëse do të ndiqej logjika e përdorur në këto shkrime, atëherë do të duhej të konkludohej në mënyrë po aq absurde se edhe këto institucione kanë qenë apo janë “nën ndikim rus”, një përfundim që bie ndesh me çdo standard profesional dhe ekonomik.
Nëse do të ndiqnim të njëjtën logjikë të përdorur në këto shkrime, atëherë do të duhej të pranonim edhe absurditete të tjera: për shembull, fakti që një pjesë e vogël e aksioneve të ortakut tjetër është përdorur si kolateral pranë një banke të nivelit të dytë, do të thoshte se tani kontrolli i aeroportit rrezikon të kalojë tek vendi i origjinës së asaj banke. Me këtë standard interpretimi, Aeroporti i Vlorës do të duhej të konsiderohej sot “i marrë” nga Turqia, një përfundim që nuk ka asnjë lidhje me realitetin dhe që tregon qartë nivelin e manipulimit në këto publikime.
Është e qartë se publikime të tilla nuk synojnë informimin e drejtë të publikut, por krijimin e një klime presioni dhe konfuzioni në një moment të rëndësishëm për proceset ligjore në vijim. Sa më shumë afrojnë vendimmarrjet e radhës të gjykatave, përfshirë shqyrtimin në apel të çështjeve të iniciuara nga MABCO, aq më shumë shtohen përpjekjet për të ndërtuar narrativa të pabazuara që synojnë të ndikojnë perceptimin publik.
Kjo fushatë tregon se, në mungesë të argumenteve juridike të qëndrueshme, po tentohet të ndërtohen teori konspirative për “ndikime të jashtme”, të cilat nuk i rezistojnë as analizës më elementare. Opinion publik dhe çdo vëzhgues racional e kupton lehtësisht diferencën mes një fakti financiar dhe një insinuate qesharake dhe për të ardhur keq.
MABCO Constructions S.A. mbetet e angazhuar për transparencë dhe respektim të plotë të kuadrit ligjor në Republikën e Shqipërisë dhe në juridiksionet ndërkombëtare ku operon. Çdo pretendim i kundërt është i pabazuar dhe do të trajtohet në përputhje me ligjin.
Në këtë kuadër, kompania rezervon të drejtën të ndjekë rrugët ligjore ndaj çdo publikimi që cenon reputacionin e saj përmes shpërndarjes së informacionit të pasaktë, të paplotë apo të pavërtetuar, përfshirë rastet e riprodhimit “copy-paste” të materialeve të tilla.
MABCO i bën thirrje publikut dhe mediave që të bazohen në fakte të verifikueshme dhe në interpretim profesional të tyre, duke shmangur përhapjen e narrativave që nuk qëndrojnë mbi prova.















