Ora ndryshon këtë të diel në Europë, por ekspertët paralajmërojnë se edhe një orë më pak gjumë mund të ketë pasoja të menjëhershme për organizmin.
Më 29 mars, akrepat e orës do të lëvizin një orë përpara, duke reduktuar kohën e gjumit dhe duke zgjatur gradualisht orët e mbrëmjes me dritë. Ndryshimi sezonal i orës aplikohet dy herë në vit, një praktikë e nisur që në Luftën e Parë Botërore për kursimin e energjisë dhe e rikthyer në vitet ’70.
Sipas studiuesve, edhe një ndryshim i vogël si ky ndikon në ritmin cirkadian, orën e brendshme biologjike që kontrollon gjumin, vigjilencën, hormonet dhe humorin.
Eksperti i ritmeve biologjike në King’s College London, Jeffrey Kelu, thekson se shumica e njerëzve përshtaten brenda një jave, por ka edhe raste kur organizmit i duhen javë apo muaj për t’u rikthyer në normalitet.
Ndryshimi i orës në pranverë lidhet gjithashtu me rritje afatshkurtër të aksidenteve rrugore, sulmeve në zemër dhe episodeve depresive.
Zgjatja e dritës në mbrëmje, edhe pse e mirëpritur, mund të krijojë vështirësi për gjumin. Ekspozimi ndaj dritës në orët e vona pengon prodhimin e melatoninës, hormonit që ndihmon trupin të përgatitet për gjumë, duke e bërë më të vështirë fjetjen.
Ekspertët rekomandojnë kufizimin e dritës në mbrëmje dhe krijimin e kushteve të errëta në dhomë për të përmirësuar cilësinë e gjumit.
Çrregullimi i ritmeve biologjike është lidhur me rreziqe më të larta për obezitet, sëmundje të zemrës, diabet të tipit 2 dhe hipertension, ndërsa studime të fundit sugjerojnë edhe lidhje me rrezikun për demencë.
Prej vitesh në Bashkimin Europian është diskutuar heqja e ndryshimit sezonal të orës. Në vitin 2018, Komisioni Europian propozoi ndërprerjen e kësaj praktike pas një konsultimi publik ku 84 për qind e qytetarëve u shprehën pro, por vendet anëtare nuk arritën të bien dakord dhe nisma mbeti pezull.
Sipas studiuesve, nëse ndryshimi i orës do të hiqej, zgjidhja më e mirë do të ishte ruajtja e orës dimërore, pasi drita e mëngjesit është thelbësore për funksionimin normal të organizmit.
















