Shqipëria renditet ndër vendet e fundit në Europë për nivelin e pensioneve, të cilat nuk arrijnë të mbulojnë as kostot bazë të jetesës.
Sipas një studimi të publikuar nga Euronews.com, pensionet në vend mbulojnë vetëm rreth 29% të shpenzimeve mujore, duke e pozicionuar Shqipërinë pranë fundit të listës, së bashku me vende si Ukraina dhe Moldavia.
Të dhënat tregojnë se në një pjesë të madhe të Europës, pensionet janë të mjaftueshme për të përballuar jetesën, madje në disa vende ato e tejkalojnë ndjeshëm koston e jetesës.
Në vende si Luksemburgu, Italia apo Finlanda, pensionet mbulojnë mbi 200% të shpenzimeve bazë, duke krijuar një diferencë të konsiderueshme në favor të pensionistëve.

Në të kundërt, në Shqipëri dhe në pjesën më të madhe të Ballkanit dhe Europës Lindore, situata mbetet problematike. Pensionet nuk arrijnë të mbulojnë as gjysmën e kostove bazë, çka do të thotë se një pjesë e madhe e të moshuarve detyrohen të mbështeten te familjarët ose burime të tjera të ardhurash për të përballuar jetesën.
Studimi thekson se në 20 nga 39 vendet europiane të analizuara, pensionet nuk janë të mjaftueshme për të mbuluar shpenzimet mujore, madje edhe pa përfshirë qiranë, që do ta përkeqësonte edhe më tej situatën reale.
Diferenca e madhe mes Europës Perëndimore dhe asaj Lindore është e dukshme, ku vendet më të zhvilluara ofrojnë mbulim të plotë ose të tepërt të kostove të jetesës, ndërsa vendet me ekonomi më të dobëta, përfshirë Shqipërinë, mbeten shumë larg këtij standardi.
Këto të dhëna nxjerrin në pah një problem të thellë social dhe ekonomik, ku niveli i pensioneve në Shqipëri nuk është në përputhje me koston reale të jetesës, duke rritur rrezikun për varfëri dhe varësi ekonomike tek të moshuarit. /skyweb.al
















