Majlinda Bregu
Kompania e inteligjencës artificiale Anthropic, frymëzuar nga anthropos fjala greke për “qenie njerëzore”, ka përdorur inteligjencën artificiale për të pyetur 81,000 njerëz se për çfarë e përdorin inteligjencën artificiale.
Një intervistues AI.
Që pyet njerëz.
Për AI.
Në 159 vende, në 70 gjuhë.
E gjitha të huton pak.
Për një moment, po lë mënjanë rezultatet dhe po ndalem te metodologjia.
Gallup ka ndërtuar një perandori me sondazhe. Etnografët ndërtojnë karrierën duke jetuar brenda komuniteteve të ndryshme për të kuptuar kulturat e zakonet Antropologjia lindi nga bindja se një shoqëri kuptohet vetëm duke e pare veten përmes të tjerëve.
Dhe ja ku erdh dita që një makinë ka bërë diçka që asnjë studiues social nuk mund ta bëjë në këto nivele.
Rezultati nuk është thjesht një statistikë. Është diçka më afër një rrëfimi kolektiv. Dhjetëra mijëra njerëz që flasin për atë që besojnë se teknologjia mund t’i bëjë botës. Dhe ndoshta sepse intervistuesi ishte një makinë, njerëzit rezultojnë të kenë dhënë përgjigje më të sinqerta.
Intervistuesi i Anthropic formuloi katër pyetje të hapura, dëgjoi përgjigjet dhe përshtati pyetjet pasuese. Si një antropolog profesionist. Më pas një AI vartës:) analizoi kodoi dhe kategorizoi përgjigjet e më pas nxori rezultatet.
Ajo që studimi zbuloi, në thelb, është se njerëzit nuk ndahen qartë në optimistë dhe pesimistë për boom-in e inteligjencës artificiale në jetën e tyre.
Ata ndahen sipas nevojave qe kanë dhe nevojat marrin formë nga ku jetojnë dhe nga ajo që shoqëritë e tyre kanë, ose nuk kanë arritur të ofrojnë.
Në vendet e pasura dhe me zhvillim teknologjik të avancuar, njerëzit duan që AI t’u japë kohë për të menaxhuar kompleksitetin e jetës.
Në ekonomitë në zhvillim dhe ato në tranzicion, njerëzit kërkojnë diçka krejt tjetër. Ata kërkojnë akses në mundësi.
Evropa Juglindore (me Ballkanin Perëndimor brenda saj) ndodhet pikërisht në këtë pikë kthese. Ende jo mjaftueshëm e pasur për t’i kërkuar AI komoditete, por duke i kërkuar në pjesën dërrmuese diçka më urgjente: një rrugëdalje nga situatat e vështira ekonomike
Barometri Ballkanik 2025 Regional Cooperation Council – RCC ka një shifër që ia vlen të ndalesh: 29% e qytetarëve në Ballkanin Perëndimor përdorin tani AI nga vetëm 10% në vitin 2024.
Pothuajse trefishim. Brenda një viti.
29% e njerëzve që përdorin sot AI janë në mënyrë disproporcionale të rinj, të arsimuar dhe të lidhur dixhitalisht, pikërisht popullsia që rajoni po e humbet prej emigracionit drejt Evropës Perëndimore.
Për ta, AI hap dy rrugë: të mos brasktisin vendet e tyre dhe të përdorin aftësitë digjitale për të punuar në distancë duke fituar më shumë pa kaluar kufirin, ose të përdorin të njëjtat aftësi për t’u bërë më tërheqës për tregjet europiane të punës dhe të largohen më shpejt. Cila rrugë do të dominojë do të përcaktojë trajektoren e rajonit në dekadën e ardhshme.
📲Në Evropën Perëndimore,shumica e përdorin AI për çështje personale, stilin e jetës dhe hapësirën personale.
📲Evropa Juglindore i ka përdoruesit më “seriozë”: sipërmarrja dhe pavarësia financiare renditen dukshëm më lart se mesatarja evropiane.
Një punonjës në Kopenhagen psh i kërkon AI të pastrojë email-in që të mendojë më qartë. Homologu në Shkup ose Tiranë i kërkon AI ta ndihmojë të ndërtojë diçka nga asgjëja, një biznes, apo ide se si të fitojë të ardhura që nuk i ka.
Të dy po i kërkojnë AI të zgjidhë një problem. Edhe pse diametralisht ndryshe.
Aty ku ndryshimi duket edhe me i madh janë frikërat.
-Në Evropën Perëndimore, shqetësimi kryesor është privatësia (17%), mbi mesataren globale (13%), e ndjekur nga boshllëqet në qeverisje (18–19%). Këto janë frikëra institucionale: ankth për atë se kush kontrollon teknologjinë dhe si mund të përdoret kundër qytetarëve nga qeveritë apo korporatat.
-Evropa Juglindore, fokusohet më shumë te pasiguria dhe vendet e punës.
Shqetësimi për punën dhe ekonominë ishte treguesi më i fortë i qëndrimeve negative ndaj AI në gjithë studimin (34,1%) dhe pikërisht në rajone si Ballkani Perëndimor, ku papunësia është mbi 10% dhe 68% e të rinjve po mendojnë të largohen, kjo frikë është më e fortë.
Megjithatë, një shqetësim e ndajmë njësoj me botën:humbja e aftësisë për të menduar.
Qoftë një jurist në Vjenë apo një student në Sarajevë, frika se po ia delegon mendimin një makine dhe po humbet gradualisht aftësinë për të menduar vetë, kalon çdo kufi, çdo nivel të ardhurash dhe çdo gjuhë. Është, ndoshta, frika më njerëzore nga të gjitha.
Studentët kanë 2.5 deri në 3 herë më shumë gjasa se mesatarja të preken nga ky fenomen. Që mendimi kritik dhe shkolla është në krizë, s’ka më asnjë dyshim.
Me shumë gjasa, të gjithë biem dakord: përfitimi nga teknologjia digjitale dhe dëmi prej saj, janë motër e vëlla.
Evropa Perëndimore po merret me rregullimin ligjor të AI Aktin Evropian të AI dhe detyrimet për përdoruesit.
Ne, i varim shpresat tek AI për të na dhënë punë.
AI po studion njerëzit, ndërsa njerëzit ende po përpiqen të kuptojnë veten.
Pyetja është nëse teknologjia që po u jep njerëzve arsye të reja për shpresë a po i jep formë edhe vendimarrjes për fatet e tyre.
AI rrit kapacitetin e individit. Qeverisja përcakton cilësinë e sistemit.
Por ky nuk është hall që mund të na e zgjidhë AI















