Që nga shpërthimi i luftës në Lindjen e Mesme, përdorimi i kriptomonedhave në Iran është rritur ndjeshëm, teksa ato po shfrytëzohen si për të anashkaluar sanksionet ndërkombëtare, ashtu edhe si një mjet mbijetese financiare për qytetarët.
Ekspertët theksojnë se monedhat digjitale po përdoren nga struktura të lidhura me Gardën Revolucionare për të shmangur kufizimet financiare, ndërsa për civilët ato po shërbejnë si një alternativë për të ruajtur vlerën e kursimeve në kushtet e inflacionit të lartë.
Irani, i përjashtuar prej dekadash nga sistemi financiar ndërkombëtar për shkak të sanksioneve, ka përdorur prej kohësh kriptovalutat si kanal alternativ për shitjen e naftës dhe financimin e grupeve aleate në rajon.
Në kulmin e krizës, flukset janë rritur ndjeshëm.
Sipas të dhënave të firmës Chainalysis, mbi 10 milionë dollarë në kriptovaluta u tërhoqën nga platformat iraniane midis 28 shkurtit dhe 2 marsit, ndërsa deri më 5 mars, rreth një e treta e këtyre fondeve ishte transferuar drejt bursave të huaja.
Analiza tregon se disa nga portofolet digjitale të përfshira në këtë aktivitet janë të lidhura drejtpërdrejt me Gardën Revolucionare. Vetëm gjatë vitit të kaluar, portofolet e lidhura me këtë strukturë janë financuar me mbi 3 miliardë dollarë në kriptovaluta, duke përbërë më shumë se gjysmën e fluksit total në vend.
Autoritetet dhe strukturat shtetërore favorizojnë përdorimin e “stablecoins”, monedha të lidhura kryesisht me dollarin, për të shmangur luhatjet e tregut. Ndërkohë, qytetarët po orientohen drejt bitcoin-it, i cili mund të ruhet jashtë sistemit bankar dhe ofron më shumë kontroll mbi fondet.
Në një ekonomi ku inflacioni kishte arritur afro 50% edhe para nisjes së konfliktit, kriptovalutat po kthehen në një mjet shpëtimi për popullsinë përballë zhvlerësimit të monedhës vendase./skyweb.al















