“Mijëra biznese dhe qytetarë rrezikojnë të ndëshkohen me gjoba të majme, pasi nuk po arrijnë të dorëzojnë në kohë deklarimet e të ardhurave vjetore. Afati i fundit i dorëzimit të bilanceve apo DIVA-s është 31 marsi.
Por bizneset dhe qytetarët nuk po munden t’i kryejnë procedurat për shkak se sistemi i deklarimit, që mirëmbahet nga AKSHI, nuk punon fare ose punon në periudha të caktuara, duke ua bërë të pamundur punën ekonomistëve, kontabilistëve apo financierëve.
AKSHI deklaron se kjo ndodh vetëm për shkak të fluksit, por nuk jep shpjegime se kur do të marrë zgjidhje problematika e krijuar apo nëse do të kërkojë që afati të shtyhet, me qëllim që bizneset dhe qytetarët të mos gjobiten për faj të këtij institucioni”, raporton gazetarja e Tv Klan, Gerta Vasku.
Kjo situatë vijon e tillë që prej disa muajsh. Siç duket edhe nga këto pamje, sistemi i deklarimit bllokohet shpeshherë gjatë ditës, duke krijuar një gjendje stresuese për bizneset, qytetarët dhe profesionistët. Kjo e bën thuajse të pamundur përmbylljen e deklarimit vjetor të të ardhurave brenda rregullave dhe afateve.
Në të shumtën e rasteve, ekonomistët dhe kontabilistët detyrohen të qëndrojnë në gatishmëri në orë të vona, vetëm për të “kapur” ato pak momente kur platforma është funksionale.
Në këto rrethana, afati i 31 marsit i vendosur nga Administrata Tatimore si afat për dorëzimin e deklarimeve duket i paarritshëm. Kjo vonesë teknike pritet të prodhojë penalitete të shumta financiare për subjektet dhe individët, të cilët rrezikojnë gjoba jo për faj të tyre, por për shkak të dështimit të shërbimit online.
Kontabilistët dhe ekonomistët kanë kërkuar zgjidhje alternative që do t’u mundësonte vijimin e punës. Shoqata e Kontabilistëve dhe Financierëve të Shqipërisë ka kërkuar zyrtarisht hartimin e një plani emergjence, si dhe shtyrjen e afateve për dorëzimin e bilanceve, deri në stabilizimin e plotë të sistemit që menaxhohet nga AKSHI.
“Nuk është hera e parë që dështimi i sistemeve të mirëmbajtura nga AKSHI çon në kolaps marrëdhënien e biznesit me shtetin. Vonesat në pasqyrimin e pagesave apo rëniet e vazhdueshme të serverëve gjatë afateve kritike të deklarimit kanë krijuar vështirësi dhe fatura të kripura që paguhen nga bizneset dhe qytetarët shqiptarë”, thotë Gladiola Kuka, kontabiliste. /Tvklan















