“Me këto çmime (që vendos Bordi sh,r), do ta lini Shqipërinë pa naftë!”. Kjo ishte deklarata e kryetarit të Shoqatës së Hidrokarbureve, Fatos Aliaj, e bërë një natë më parë në emisionin “Top Story”, duke rihapur debatin për kostot reale të karburanteve dhe për mënyrën se si funksionon sistemi i taksimit në Shqipëri.
Gjatë diskutimit, Aliaj paralajmëroi se nuk përjashtohet mundësia që çmimi i naftës në Shqipëri të shkojë edhe në 500 lekë për litër, nëse lufta vijon dhe nëse çmimet në tregjet ndërkombëtare vazhdojnë të rriten.
Ai ndaloi veçanërisht te mënyra si llogaritet akciza në Shqipëri, duke e cilësuar problematike indeksimin e saj me inflacionin.
Sipas tij, akciza aktualisht është afro 40 lekë për litër dhe vijon të rritet pikërisht për shkak të inflacionit, duke krijuar një spirale shtrenjtimi: inflacioni rrit akcizën, akciza rëndon çmimin e naftës dhe nafta më e shtrenjtë ushqen më tej inflacionin.
Debati nxjerr sërish në pah faktin se Shqipëria mbetet një nga vendet me barrën më të lartë fiskale mbi karburantet, çka reflektohet drejtpërdrejt në çmimin final që paguajnë qytetarët. Në këto kushte, bëhet gjithnjë e më e qartë se në Shqipëri çmimi i naftës nuk përcaktohet vetëm nga tregu, por në masë të madhe nga sistemi i fortë i taksimit.
Madje, sipas logjikës së kësaj strukture fiskale, edhe nëse nafta do të jepej falas në burim, ajo sërish nuk do të mund të shitej në tregun vendas me më pak se 125 deri në 135 lekë për litër, nëse llogariten edhe kostot operacionale të tregtarëve.
Aktualisht, një litër naftë në Shqipëri ngarkohet me rreth 115 deri në 125 lekë taksa, në varësi të çmimit ditor. Në këtë shumë përfshihet akciza me rreth 40 lekë për litër, taksa e qarkullimit me 27 lekë, TVSH me rreth 35 lekë dhe taksa të tjera që arrijnë në afro 10 lekë për litër.
Në këtë situatë, deklarata e kreut të Shoqatës së Hidrokarbureve shton pikëpyetjet mbi rolin real të Bordit dhe mbi faktin nëse problemi kryesor i çmimeve të larta qëndron te luhatjet e tregjeve ndërkombëtare apo te pesha e rëndë fiskale që vazhdon të mbajë të shtrenjtë karburantin në Shqipëri. /skyweb.al
















