Qeveritë e pesë shteteve të Bashkimit Europian po minojnë në mënyrë të qëllimshme sundimin e ligjit, ndërsa në gjashtë vende të tjera po vihet re një rënie e standardeve demokratike, përfshirë edhe disa demokraci tradicionalisht të forta. Ky është paralajmërimi i bërë nga Unioni për Liritë Civile në Europë në raportin e tij për vitin 2026.
Sipas këtij raporti, Bullgaria, Kroacia, Hungaria, Italia dhe Sllovakia po e dëmtojnë seriozisht sundimin e ligjit, duke e dobësuar atë në fusha kyçe si sistemi i drejtësisë, lufta kundër korrupsionit, liria e medias dhe funksionimi i shoqërisë civile. Në Sllovaki, qeveria populiste dhe me orientim pro-Moskës e drejtuar nga Robert Fico ka përkeqësuar standardet demokratike në të gjitha aspektet. Gjendja paraqitet po aq shqetësuese në Bullgari, ndërsa Hungaria nën drejtimin e Viktor Orbán vazhdon politika regresive, pavarësisht qëndrimit të gjatë në pushtet.
Ndërkohë, në vende si Belgjika, Danimarka, Franca, Gjermania dhe Suedia vërehet një dobësim i pjesshëm i sundimit të ligjit, por jo si rezultat i një strategjie të qëllimshme politike. Vende të tjera si Republika Çeke, Estonia, Greqia, Irlanda, Lituania, Holanda, Rumania dhe Spanja konsiderohen në një gjendje stagnimi. Polonia po bën përpjekje për të rikthyer elementë kyç të sundimit të ligjit, por përballet me pengesa si vetoja presidenciale. Ndërsa Letonia është i vetmi vend që vlerësohet pozitivisht, duke shënuar përmirësime të vazhdueshme.
Raporti kritikon gjithashtu institucionet e Bashkimit Europian, duke theksuar se ato nuk kanë zbatuar në mënyrë të qëndrueshme mbrojtjen e të drejtave themelore dhe kanë përdorur procedura të përshpejtuara ligjore për të shmangur kontrollin demokratik.
Sipas Liberties, përkeqësimi më i theksuar vërehet në mekanizmat e kontrollit dhe balancës demokratike, ku organizatat joqeveritare dhe shoqëria civile kanë gjithnjë e më pak hapësirë për të sfiduar qeveritë. Po ashtu, janë shtuar sulmet ndaj gazetarëve në vende si Bullgaria, Kroacia, Italia, Holanda dhe veçanërisht në Sllovaki. /skyweb.al
















