Banka e Shqipërisë miratoi sot Deklaratën dhe Raportin e Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e dytë 2025.
Raporti i Stabilitetit Financiar është një nga dokumentet e rëndësishme periodike të përgatitura nga Banka e Shqipërisë, me qëllim kryesor identifikimin dhe vlerësimin e rreziqeve me të cilat operon sistemi financiar dhe infrastruktura e tij.
Banka e Shqipërisë vlerëson se në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2025, veprimtaria e sistemit financiar u zhvillua në mënyrë të qëndrueshme.
Zgjerimi i aktivitetit të sektorit bankar u përshpejtua, me kontribut kryesor nga rritjet e depozitave dhe të kapitalit, të cilat u orientuan kryesisht drejt kreditimit dhe investimeve në tituj. Rezultati financiar neto i sektorit bankar ishte pozitiv dhe disi më i ulët se ai i një viti më parë.
Rreziqet që burojnë nga ndërlidhjet mes sektorit bankar dhe segmenteve të tjera të sistemit financiar, si edhe ato të veprimtarisë së vetë sektorit bankar, vlerësohen në nivele të kontrolluara. Treguesit e rezistencës financiare dhe ushtrimet e provës së rezistencës, tregojnë se sektori bankar është i qëndrueshëm ndaj rreziqeve të identifikuara.
Megjithatë, sipas Bankës së Shqipërisë, mbetet e nevojshme që bankat të forcojnë sistemet e tyre të parandalimit dhe të administrimit të rreziqeve, të testojnë rregullisht rezistencën ndaj tyre, si dhe të ruajnë nivelet e përshtatshme të kapitalizimit të veprimtarisë.
Zhvillimet ekonomike gjatë periudhës ishin pozitive, ndikuar nga ecuria e mirë e konsumit dhe investimeve, dhe performanca e qëndrueshme pozitive e sektorit të turizmit.
Rritja ekonomike u shoqërua me ulje të papunësisë dhe rritje të punësimit e të pagave. Politika fiskale mbeti e kujdesshme dhe pesha e borxhit publik në Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB), vijoi të bjerë. Presionet inflacioniste kanë mbetur nën objektivin e Bankës së Shqipërisë. Rreziqet për zhvillimet ekonomike dhe financiare në vend mbeten të pranishme dhe lidhen kryesisht me pasigurinë e lartë që paraqesin aktualisht zhvillimet ndërkombëtare.
Në këto kushte, sipas Bankës së Shqipërisë, mbetet e rëndësishme që politikat ekonomike dhe financiare të autoriteteve publike dhe veprimet e pjesëmarrësve të tregjeve të synojnë ruajtjen e rezervave financiare dhe drejtimin me efektivitet të investimeve të tyre.
Gjithashtu, në mbledhjen e sotme, me propozim të Guvernatorit, Këshilli Mbikëqyrës zgjodhi Holta Zaçajn në funksionin e Zëvendësguvernatorit të Parë të Bankës së Shqipërisë.
Holta Zaçaj në fund të vitit të kaluar mbylli mandatin si anëtare dhe kryetare e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa në të shkuarën ka qenë pedagoge, avokat dhe drejtuese e departamentit Ligjor në Alpha Bank Albania. Ajo do të pasojë në këtë detyrë Luljeta Minxhozin, që mbylli mandatin e saj në Këshillin Mbikëqyrës në dhjetor 2025.















