Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka miratuar rishtypjen e kartëmonedhës shqiptare me kurs ligjor 5 000 lekë, si dhe të monedhës metalike 20 lekë, në një vendim që synon të përballojë kërkesat e ekonomisë për para në qarkullim.
Sipas vendimit, rishtypja bëhet për të garantuar furnizimin e rregullt të tregut me para, si në vlerë ashtu edhe në strukturë, për një periudhë disavjeçare.
Në fokus të këtij vendimi është kartëmonedha 5 000 lekë, prerja më e lartë në qarkullim, çka tregon një rritje të kërkesës për para fizike në vlera më të mëdha.
Banka e Shqipërisë sqaron se rishtypja e kartëmonedhave dhe monedhave është një procedurë e zakonshme për bankat qendrore, të cilat kanë përgjegjësinë për të garantuar furnizimin e sistemit monetar.
Megjithatë, shtimi i kartëmonedhave të vlerës së lartë në qarkullim reflekton edhe një prirje drejt përdorimit më të madh të parasë fizike në ekonomi, në një kohë kur pagesat elektronike mbeten ende të kufizuara. /skyweb.al
















