Sipas analizës së fundit, shkaku kryesor lidhet me mbylljen faktike të Ngushticës së Hormuzit, një nga arteriet kryesore të tregtisë globale të energjisë, nga ku kalon rreth 20% e naftës në botë. Kjo ka shkaktuar një goditje të menjëhershme në furnizimin me karburant avioni, duke e bërë atë një nga produktet më të prekura në tregjet energjetike.
Çmimet e karburantit për avionë janë rritur ndjeshëm, me një rritje deri në 95% që nga fillimi i konfliktit, ndërsa ekspertët paralajmërojnë se situata mund të përkeqësohet në muajt prill dhe maj. Në këto kushte, kompanitë ajrore pritet të rrisin çmimet e biletave, të aplikojnë tarifa shtesë dhe të reduktojnë numrin e fluturimeve.
Shenjat e para të krizës janë shfaqur tashmë në Itali, ku disa aeroporte kanë vendosur kufizime në përdorimin e karburantit, duke i dhënë prioritet fluturimeve të gjata dhe atyre emergjente. Kjo konsiderohet një paralajmërim se situata mund të përhapet edhe në vende të tjera të Bashkimit Europian.
Europa mbetet veçanërisht e ekspozuar, pasi një pjesë e madhe e furnizimeve të saj me karburant avioni vjen nga rajoni i Gjirit. Analistët theksojnë se pas mbërritjes së dërgesave të fundit rreth datës 10 prill, mund të ketë rënie të ndjeshme të volumit të furnizimeve nëse nuk gjenden burime alternative.
Megjithëse disa vende kanë rezerva që mund të mbulojnë disa muaj konsum, sistemi i furnizimit mbetet i brishtë pasi aeroportet nuk mund të magazinojnë sasi të mëdha karburanti dhe varen nga furnizime të vazhdueshme. Edhe ndërprerje të shkurtra mund të shkaktojnë probleme operative.
Ndërkohë, një pjesë e mungesës po kompensohet nga rritja e importeve nga SHBA dhe prodhimi më i lartë në rafineritë europiane, por këto nuk janë të mjaftueshme për të mbuluar plotësisht boshllëkun.
Ekspertët paralajmërojnë se, nëse konflikti vazhdon, vera mund të shoqërohet me më pak fluturime dhe çmime më të larta, duke e kthyer këtë situatë në një krizë reale për industrinë ajrore europiane.















