Cili është vendi më ekonomik në Evropë për pushime në plazh, të stilit të Karaibeve në vitin 2026? Të gjithëve na pëlqen magjia e ngjyrave blu të Karaibeve – me brigje perfekte si në kartolina, ujëra turkeze që përplasen mbi rërën e bardhë dhe të artë. Nuk ka asgjë më të bukur se kultura e qetë dhe relaksuese e ishujve si Shën Luçia, Republika Dominikane apo Bahamasi – apo jo?, shkruan Lucie Grace në një artikull të botuar në revistën amerikane të udhëtimeve “Islands”.
Vizitoni Shqipërinë, perlën jugore të Ballkanit me fshatin bregdetar mahnitës të Ksamilit, që shpesh konsiderohet si “Karaibet e Evropës”.
Ky krahasim vjen pjesërisht nga vendasit e qetë dhe mikpritës, por është gjeografia ajo që krijon ngjashmërinë më të madhe.
Gjiret e Ksamilit strehojnë një grup ishujsh të vegjël, bare plazhi të mrekullueshme, ujëra joniane pothuajse të përkryera dhe një verë të gjatë dhe me diell. Mjafton një moment dhe mund ta ngatërroni lehtësisht me Antiguan.
Përveç atmosferës së Karaibeve, Shqipëria kryeson gjithashtu si një nga destinacionet më të lira për pushime në Evropë në vitin 2026.
Ndërsa Riviera Shqiptare është ideale për t’u eksploruar me buxhet të kufizuar.
Në skajin më jugor të vendit, Ksamili ofron disa nga plazhet më të bukura të Shqipërisë dhe ndodhet vetëm 25 minuta larg me makinë nga qyteti më i afërt, Saranda.
Saranda është një qytet portual i gjallë, me tragete të rregullta që mbërrijnë nga Korfuzi, ishulli grek, një mundësi më e lirë për udhëtim – krahasuar me disa vende të ndryshme evropiane – ku ofrohen linja ajrore me kosto të ulët si “Ryanair” dhe “EasyJet”.
Ju mund të fluturoni drejt kryeqytetit të Shqipërisë, Tiranës, të merrni autobusin drejt Sarandës dhe më pas të organizoni një udhëtim drejt jugut për në Ksamil.
Cilin plazh në Ksamil duhet të zgjidhni?
Ksamili ndodhet më në jug se Himara, një tjetër destinacion turistik i Shqipërisë, por jo i panjohur për vizitorët.
Ky destinacion është tashmë në radarin e shumë evropianëve që kërkojnë diell, megjithatë mbetet përgjithësisht më i lirë se plazhet e vendeve shumë të njohura si, Spanja apo Greqia fqinje.
Ksamili karakterizohet nga katër ishuj të vegjël (ose tre teknikisht, pasi dy prej tyre lidhen nga një rrugicë e vogël) përballë plazhit Bora Bora, të cilët mund t’i arrini me not ose me varkë me pedale.
Pikërisht këta ishuj krijojnë më shumë ndjesinë e Karaibeve, së bashku me ujërat akuamarinë që përplasen në breg.
Një pjesë e turistëve preferojnë më shumë brigjet me zhavorr të Plazhit Augustus, rreth 15 minuta më këmbë nga qendra e gjallë e Ksamilit, ose gjirin më të afërt dhe të cekët të Plazhit Paradise, ku gjenden bare plazhi, perfekte për kokteje, gjatë perëndimit të diellit.
Megjithatë, Plazhi mahnitës i Pasqyrave renditet në vendin e parë.
Rreth 6,5 kilometra nga Ksamili, ai njihet për ujërat e qeta dhe fenomenin natyror të reflektimit të diellit mbi ujin e pastër kristal dhe shkëmbinjve të bardhë, duke krijuar efektin magjik të një pasqyre.
Plazhi i Pasqyrave ndodhet në një gji ku qiejt blu shkrihen me detin vezullues. Ndodhet vetëm një bar plazhi, ndaj shkoni të përgatitur.
Ia vlen përpjekja, pasi sipas një studimi të kryer nga CV Villas (agjencia e udhëtimeve me seli në Londër) në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Turizmit të Shqipërisë, Plazhi i Pasqyrave ka ujin më të kaltër në botë në botë, bazuar në analizën e imazheve të papërpunuara të “Google Maps” të 200 plazheve.
















