Pas një misioni 10-ditor rreth Hënës, kapsula Orion do të nisë zbritjen drejt Tokës nga një lartësi mbi 120 mijë metra, duke përshkuar rreth 3,200 kilometra mbi Oqeanin Paqësor përpara uljes përfundimtare.
E gjithë kjo fazë dramatike zgjat vetëm 13 minuta, por konsiderohet momenti më i rrezikshëm i misionit.
Gjatë rihyrjes në atmosferë, kapsula do të përballet me temperatura që arrijnë deri në 2,760 gradë Celsius, ndërsa astronautët do të jenë të izoluar plotësisht nga kontrolli në Tokë për disa minuta.
Ky fenomen, i njohur si “blackout”, ndodh kur një shtresë plazme krijohet rreth mjetit dhe ndërpret çdo komunikim.
Përpara këtij momenti kritik, ekuipazhi ka kryer një sërë përgatitjesh teknike. Janë realizuar manovra korrigjuese të trajektores për të siguruar hyrjen e saktë në atmosferë, ndërsa astronautët kanë testuar edhe pajisjet që i ndihmojnë të përballojnë efektet fizike pas kthimit në Tokë, si vështirësia në qarkullimin e gjakut pas qëndrimit në mungesë graviteti.
Në ditën e fundit të misionit, kapsula ndahet nga moduli i shërbimit, i cili digjet në atmosferë, ndërsa ekuipazhi kryen manovrën e fundit për të rregulluar trajektoren e zbritjes.
Vetëm pak minuta para hyrjes në atmosferë, astronautët ulin syzet dhe kalojnë në një regjim të izoluar total brenda kostumeve të tyre speciale.
Rihyrja fillon nga një lartësi mbi 120 mijë metra dhe vetëm 24 sekonda më pas nis ndërprerja e komunikimit. Pas rreth 6 minutash, kapsula del nga kjo zonë kritike dhe vazhdon zbritjen me shpejtësi të lartë drejt pikës së uljes.
Në fazën finale aktivizohen parashutat.
Fillimisht hapen dy parashuta të vogla për të ngadalësuar kapsulën nga shpejtësi shumë e lartë në rreth 494 km/h, më pas tre parashuta të mëdha e ulin shpejtësinë në rreth 38 km/h, duke bërë të mundur uljen në oqean.
Pas kontaktit me ujin, aktivizohet një sistem me pesë airbagë që e stabilizon kapsulën në pozicion vertikal, duke mundësuar daljen e astronautëve.
Ata do të ndihmohen nga ekipet e shpëtimit që do të ndodhen në afërsi, përpara se të transportohen me helikopter drejt anijes ushtarake dhe më pas në kontroll mjekësor.
I gjithë operacioni i rikuperimit pritet të përfundojë brenda dy orëve nga momenti i uljes, ndërsa kapsula Orion do të transportohet më pas drejt bazave të NASA-s për analiza të mëtejshme.
Në thelb, rikthimi i Artemis II nuk është thjesht fundi i një misioni, por një test ekstrem teknologjik dhe njerëzor, ku çdo sekondë vendos nëse një nga projektet më ambicioze të eksplorimit hapësinor do të konsiderohet një sukses i plotë.
















