Nga data 10 prill 2026, qytetarët shqiptarë që udhëtojnë drejt vendeve të zonës Schengen Area do të përballen me një procedurë të re në kufi, për shkak të hyrjes në fuqi të sistemit EES, një mekanizëm i Bashkimi Evropian që regjistron elektronikisht hyrjet dhe daljet.
Udhëtimi nis si zakonisht nga Shqipëria, pa ndryshime në aeroportin e nisjes.
Ndryshimi real ndodh në momentin kur mbërrin në një pikë kufitare në një vend të zonës Schengen.
Në vend të vulosjes së pasaportës, tashmë aplikohet identifikimi biometrik.
Herën e parë që hyn pas aktivizimit të sistemit, të dhënat e tua regjistrohen në EES.
Në këtë fazë ekzistojnë dy skenarë praktikë, në varësi të infrastrukturës së aeroportit apo pikës kufitare.
Në variantin e parë, nëse janë të instaluara kioska vetë-shërbimi, udhëtari e kryen vetë regjistrimin.
Ai vendos pasaportën në pajisje, bën skanimin e fytyrës dhe jep shenjat e gishtave. Pas kësaj, kalon te oficeri i kufirit vetëm për verifikim të shpejtë.
Ky është varianti më i shpejtë dhe synohet të bëhet standard në të ardhmen.
Në variantin e dytë, nëse nuk ka kioska ose ato nuk janë funksionale, i gjithë procesi kryhet nga oficeri i kufirit.
Ai skanon pasaportën, merr shenjat e gishtave dhe bën fotografinë e fytyrës.
Ky proces zakonisht zgjat më shumë dhe mund të krijojë radhë, sidomos në periudhën fillestare të zbatimit.
Pas regjistrimit të parë, sistemi krijon profilin e udhëtarit dhe regjistron automatikisht çdo hyrje dhe dalje.
Nuk ka më vula në pasaportë dhe llogaritja e ditëve të qëndrimit bëhet në mënyrë automatike, sipas rregullit 90 ditë në 180 ditë për shtetasit nga vendet jashtë BE-së.
Për ata që janë regjistruar një herë në sistem, procedura ndryshon ndjeshëm në udhëtimet e mëvonshme.
Në kufi nuk bëhet më regjistrim nga e para, por vetëm verifikim i të dhënave biometrike.
Udhëtari mund të kalojë përmes skanimit të fytyrës ose të shenjave të gishtave, shpesh edhe përmes portave automatike në aeroportet që i disponojnë.
Kjo e bën procesin shumë më të shpejtë krahasuar me hyrjen e parë.
Edhe në dalje nga zona Schengen, sistemi regjistron automatikisht largimin e udhëtarit, duke përllogaritur saktësisht kohën e qëndrimit dhe duke shmangur çdo paqartësi apo abuzim me afatet e lejuara.
Në thelb, EES është një kalim nga kontrolli manual me vula drejt një sistemi të automatizuar dhe biometrik, ku hyrja e parë kërkon më shumë kohë, por çdo udhëtim pasues bëhet më i thjeshtë dhe më i shpejtë./skyweb.al
















