Ndryshimi i ndriçimit në kabinën e avionit gjatë ngritjes dhe uljes është një veprim që shpesh kalon pa u vënë re nga pasagjerët, por në fakt lidhet drejtpërdrejt me sigurinë e fluturimit.
Gjatë këtyre dy fazave, që konsiderohen më kritiket në një udhëtim ajror, ekuipazhi ul ose rrit dritat në kabinë sipas kushteve të jashtme.
Ky veprim nuk bëhet për komoditet apo atmosferë, por për të përgatitur pasagjerët dhe stafin në rast emergjence.
Në fluturimet gjatë natës, dritat ulen që sytë e pasagjerëve të përshtaten me errësirën. Nëse ndodh një situatë e papritur dhe kërkohet evakuim, kjo ndihmon që pasagjerët të shohin menjëherë daljet e emergjencës dhe të orientohen pa u penguar nga ndryshimi i fortë i dritës.
Ndërsa gjatë ditës, ndriçimi në kabinë mbahet më i fortë. Kjo i mundëson ekuipazhit të dallojë më lehtë çdo problem të mundshëm jashtë avionit, si tym, zjarr apo dëmtime në strukturë, duke reaguar më shpejt nëse është e nevojshme.
Ky është një standard ndërkombëtar i sigurisë që zbatohet nga të gjitha linjat ajrore dhe nuk varet nga politikat individuale të kompanive.
Ndryshimi i ndriçimit është pjesë e një protokolli më të gjerë, që përfshin edhe hapjen e perdeve të dritareve dhe vendosjen e sediljeve në pozicion vertikal.
Në thelb, çdo detaj në kabinë gjatë ngritjes dhe uljes është i menduar për të fituar kohë në rast emergjence. Dhe në aviacion, edhe disa sekonda mund të bëjnë diferencën. /skyweb.al















