Kryeministri Edi Rama ka përjashtuar mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme, duke deklaruar se zgjedhjet e radhës do të zhvillohen në vitin 2029.
Duke iu referuar komenteve publike dhe propozimeve që protestat të kanalizohen përmes zgjedhjeve të reja, Rama ironizoi gazetarin Blendi Fevziu, duke thënë se sa herë ka tension politik, ai del me idenë e zgjedhjeve.
“Del Fevziu tani dhe thotë bëni zgjedhje, që protestuesit të shfryjnë dufin dhe Rama të rikonfirmohet. Sa herë del ndonjëri aty, Fevziu thotë bëni zgjedhje”, u shpreh Rama.
Kryeministri e cilësoi këtë qasje si të papranueshme, duke thënë se Shqipëria nuk mund të trajtohet si një vend ku zgjedhjet përdoren sa herë ka zemërim publik apo protestë.
“Pse mo, çfarë është Shqipëria, shtëpi publike që shkojnë shfryjnë dufin njerëzit?”, tha Rama.
Sipas tij, vendi ka një kalendar të qartë zgjedhor dhe ky kalendar nuk ndryshon për shkak të protestave apo thirrjeve të momentit.
Rama tha se zgjedhjet parlamentare do të mbahen në vitin 2029, duke lënë të kuptohet se mandati aktual qeverisës do të vijojë deri në fund.
“Zog, zgjedhje ka në vitin 2029”, u shpreh Rama.
Deklarata vjen në një moment kur protestat e ditëve të fundit kundër projektit në Zvërnec janë shoqëruar me thirrje gjithnjë e më të forta politike, përfshirë edhe parulla kundër kryeministrit Rama dhe ish-kryeministrit Sali Berisha.
Për Ramën, megjithatë, protestat nuk janë arsye për të hapur një cikël të ri zgjedhor. Ai e paraqiti kërkesën për zgjedhje të parakohshme si një reagim emocional dhe jo si zgjidhje institucionale.
















