Shqipëria ka regjistruar një rritje mesatare ekonomike prej rreth 4,4% në vit gjatë periudhës 2000–2024, por nuk ka shfrytëzuar plotësisht potencialin për t’u afruar me nivelin e zhvillimit të Bashkimit Europian.
Në raportin e tetorit 2026, “Perspektiva Ekonomike Rajonale: Europa”, Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) vlerëson se ekonomia shqiptare mund të kishte shënuar një rritje më të shpejtë, duke marrë parasysh nivelin e ulët të Prodhimit të Brendshëm Bruto për frymë nga i cili u nis në vitin 2000.
Sipas analizës, edhe pse Shqipëria ka pasur një nga ritmet më të larta të rritjes në Ballkanin Perëndimor, kjo performancë nuk ka mjaftuar për të ngushtuar ndjeshëm hendekun me ekonomitë e zhvilluara europiane.
FMN thekson se integrimi europian, rritja e produktivitetit dhe akumulimi i kapitalit janë faktorë të rëndësishëm për përshpejtimin e konvergjencës ekonomike. Megjithatë, modeli aktual i rritjes po përballet me sfida, përfshirë dobësimin e eksporteve, rritjen e pagave më shpejt se produktiviteti dhe uljen e investimeve të huaja direkte.
Për të përshpejtuar zhvillimin, FMN rekomandon që vendet e rajonit të mbështeten më pak te kostot e ulëta dhe të investojnë më shumë në inovacion, kualifikimin e fuqisë punëtore dhe aktivitetet me vlerë të shtuar më të lartë.
Raporti nënvizon gjithashtu rëndësinë e institucioneve më të besueshme, rritjes së investimeve private dhe politikave fiskale që garantojnë qëndrueshmërinë e financave publike.















