Kryeministri Edi Rama ka kërkuar dorëheqjet e drejtuesve të institucioneve në varësi të ministrive dhe agjencive shtetërore. Në mes të presionit të protestave, drejtorët janë kthyer në kurbanët e një operacioni PR që qeveria e paraqet si përpjekje për të vlerësuar performancën dhe për t’i hapur rrugë meritokracisë në administratë.
Por edhe mënyra se si po mblidhen dorëheqjet ngre pikëpyetje.
Sipas burimeve të skyweb.al, një pjesë e drejtuesve i kanë dorëzuar letrat pa datë. Pra, kanë firmosur gatishmërinë për t’u larguar, duke ia lënë Kryeministrit në dorë momentin se kur kjo dorëheqje do të përdoret.
Zyrtarisht, vlerësimi pritet të bëhet nga ministrja e Administratës Publike, Adea Pirdeni. Politikisht, megjithatë, është e vështirë të besohet se për fatin e drejtorëve do të vendosë një testim i saj, i shkëputur nga vullneti i kryeministrit dhe marrëdhëniet mbi të cilat janë ndërtuar këto emërime.
Por problemi më i madh mund të jetë diku tjetër. Rama po kërkon letrat e drejtorëve, ndërsa në një pjesë të administratës pushtetin e vërtetë e ushtrojnë zëvendësit e tyre.
Sipas informacioneve që disponon skyweb.al, ka institucione ku drejtori është më shumë një figurë formale, ndërsa vendimet që rëndojnë mbi punonjësit dhe qytetarët kalojnë nga zv.drejtori. Kreu mban titullin dhe del në fotografi; zëvendësi kontrollon njerëzit, ndërhyrjet dhe “punët e pista” që nuk duken në njoftimet zyrtare.
Këta nuk janë domosdoshmërisht vartësit e drejtorit në kuptimin real të fjalës.
Në disa raste, ata janë të besuarit politikë, me mbështetje që shkon përtej titullarit dhe me sigurinë se drejtori mund të ndërrohet, por pozicioni i tyre nuk preket.
Pikërisht kjo mbështetje u jep hapësirën për të bërë “paudhësi” në prapaskenë, duke ia lënë përgjegjësinë publike atij që ka emrin në krye të institucionit.
Nëse shqetësimi i Ramës janë abuzimet që kanë lodhur qytetarët dhe vetë administratën, atëherë ndërrimi i drejtorit nuk mjafton.
Një drejtor i ri, përballë të njëjtit zëvendës që kontrollon institucionin dhe ka mbrojtje politike, rrezikon të bëhet thjesht kukulla e radhës.
Prandaj, pasi të ketë mbaruar me dorëheqjet e drejtorëve, Rama duhet të shohë edhe një kat më poshtë /skyweb.al















