Kryeministri Edi Rama ka përsëritur edhe sot thirrjen për dialog drejtuar protestuesve, ndërsa situata para godinës së Kryeministrisë vijon të karakterizohet nga qëndrime të kundërta mes palëve.
Tryeza prej guri, e vendosur nga kreu i qeverisë si simbol i gatishmërisë për bisedime, ndodhet sërish para Kryeministrisë, e shoqëruar me fletët ku shkruhet fjala “Dialog”. Ndryshe nga ditët e mëparshme, këtë herë mungojnë karriget, pasi gjatë protestave të fundit ato janë djegur nga protestuesit, ndërsa gurët e vendosur aty janë rrokullisur në shenjë kundërshtimi ndaj nismës së Ramës.
Pavarësisht ftesave të përsëritura të kryeministrit për t’u ulur në tryezën e bisedimeve, studentët vijojnë të mbajnë qëndrimin e tyre, duke këmbëngulur në kërkesën për largimin e Edi Ramës nga posti i kryeministrit.
Deri më tani, thirrjet për dialog nuk kanë sjellë një ndryshim të qëndrimit të protestuesve, të cilët vijojnë të kërkojnë përmbushjen e kërkesave të tyre.