Ky artikull është realizuar bazuar në metodën e gazetarisë shkencore dhe analizon marrëdhënien komplekse mes përdorimit të pesticideve, ndotjes së tokës dhe mbijetesës së bletëve në Shqipëri, duke i trajtuar bletët si bio-indikatorë të ndjeshëm të ndotjes mjedisore. Kjo ndotje ndikon jo vetëm në sistemin nervor të bletëve, por rrezikon deri zhdukjen e tyre. Përmes analizave laboratorike të kryera në kampione mjalti, bletësh, propolisi dhe poleni të mbledhura në disa zona të vendit, studimi evidenton se mjalti shqiptar, në mostrat e analizuara, mbetet brenda kufijve të sigurisë ushqimore për konsum njerëzor. Megjithatë, prania e pesticideve të ndaluara prej dekadash, si DDT, lindani dhe përbërës të tjerë organoklorurë, tregon një ekspozim ambiental afatgjatë të bletëve dhe ndotje të trashëguar historike.
Bashkëautorë:
Anila Hoxha, gazetare
Prof. Dr.Ferdi Brahushi, përgjegjës departamenti UBT
Gjurmimi i pesticideve përmes bletëve
Vjeshtën e kaluar, dy profesorë shqiptarë, Kastriot Korro nga Fakulteti i Mjekësisë Veterinare dhe Albert Licollari, Drejtor i Laboratorit Nucro në Kanada, nisën një studim për të matur nivelin e ndotjes nga pesticidet në Shqipëri, duke përdorur një indikator sa natyror aq edhe shkencërisht të besueshëm: ushqimin e bletëve. Bleta konsiderohet një bio-indikator i ndjeshëm i cilësisë së mjedisit, pasi gjatë fluturimit për mbledhjen e nektarit dhe polenit, ajo reflekton drejtpërdrejt ekspozimin ndaj ndotësve që gjenden në territor.
Për këtë qëllim, studiuesit mblodhën kampionë në nëntë qarqe të vendit; Kukës, Tiranë, Kuçovë, Berat, Vlorë, Tepelenë, Gjirokastër, Ersekë dhe Sarandë. Mostrat janë analizuar në një laborator jashtë Shqipërisë. Studiuesit kanë arritur në rezultate shumë të rëndësishme, që pranuan t`i ndajnë me ne edhe pse nuk janë publikuar ende zyrtarisht. Sipas tyre janë gjetur prova të mjaftueshme për gjurmë të pesticidive në kullotat ku kanë qenë bletët.
Ky shqetësim nuk është i izoluar vetëm në Shqipëri. Studime të publikuara në disa nga revistat më prestigjioze shkencore në botë, përfshirë Science dhe Nature, si dhe vlerësime nga Autoriteti Europian i Sigurisë Ushqimore (EFSA), kanë konfirmuar se pesticidet, veçanërisht neonikotinoidet, përbëjnë një nga kërcënimet më serioze për mbijetesën e bletëve. Këto substanca përdoren gjerësisht në bujqësi për të luftuar insektet dëmtuese, por ato ndikojnë drejtpërdrejt në sistemin nervor të bletëve, duke dëmtuar aftësinë e tyre për orientim në hapësirë. Si pasojë, shumë bletë nuk arrijnë të kthehen më në kosherë.
Edhe në doza të ulëta, pesticidet dobësojnë sistemin imunitar të bletëve dhe reduktojnë aftësinë e tyre riprodhuese, duke e bërë koloninë më të brishtë ndaj sëmundjeve dhe faktorëve të tjerë stresues. Ky ekspozim kronik konsiderohet një nga faktorët që kontribuon në fenomenin e njohur si Colony Collapse Disorder (CCD), ose kolapsi i kolonive, një dukuri e dokumentuar në shumë vende të botës, ku bletët punëtore zhduken në mënyrë të papritur, duke rrezikuar mbijetesën e gjithë kolonisë.
Në këtë kontekst, studimi i nisur nga studiuesit shqiptarë merr një rëndësi të veçantë, pasi për herë të parë synon të ofrojë të dhëna konkrete mbi ekspozimin e bletëve ndaj pesticideve në territorin e vendit, duke krijuar një bazë shkencore për politika më të sigurta bujqësore dhe për mbrojtjen e një prej hallkave më jetike të zinxhirit ushqimor.

Rezultatet laboratorike
“Bazuar në analizat laboratorike të kryera me metoda bashkëkohore (GC-MS/MS dhe LC-MS/MS), në të gjitha kampionet e analizuara për mjaltin, nivelet e mbetjeve të pesticideve rezultuan nën kufijtë e lejuar ndërkombëtarë (USP 561) dhe konsiderohen të sigurta për konsum njerëzor,” – përgjigjet profesor Korro.
Megjithatë, tek bletët janë identifikuar nivele të ulëta, por të gjurmueshme, të disa pesticideve, përfshirë edhe substanca të ndaluara prej dekadash (si DDT, lindan, chlordane), çka tregon ekspozim ambiental afatgjatë të tyre. Tek propolisi dhe poleni, në dy kampione propolisi janë konstatuar tejkalime të kufijve të pranueshëm, veçanërisht për pesticide shumë toksike për bletët (si aldrin/dieldrin, cyfluthrin dhe fenpropathrin), shton Korro.
Profesorët përdorin tone qetësuese për popullatën kur vjen fjala tek mjalti shqiptar, duke theksuar se bazuar në kampionet e studiuara, ai nuk përbën rrezik të drejtpërdrejtë për shëndetin e konsumatorit. Por a mjafton kjo?
Në foto, studiuesit në terrenBletët si bio-indikatorë të ndotjes mjedisore
Dihet se bletët veprojnë si bio-indikatorë shumë të ndjeshëm të ndotjes mjedisore, duke grumbulluar pesticide nga toka, uji, ajri dhe bimësia. Për studiuesin Korro, prania e pesticideve të ndaluara tregon ndotje të trashëguar historike, jo domosdoshmërisht përdorim aktual.
Para se të shkohet tek pesticidet, një prani e tillë i dërgon sinjalet e dyshimit tek perimetri i ish-bazave ushtarake; pesticidet organoklorurë të gjetur në mostra janë substanca shumë rezistente që qëndrojnë në mjedis për dekada dhe janë përdorur gjerësisht në të kaluarën në bujqësi, dezinfektime masive dhe në zona ushtarake. Nga ana tjetër, fabrikat e prodhimit të kimikateve pas vitit 1990, që prodhonin lindan, u braktisën dhe u harruan, duke rritur kështu rrezikun e toksicitetit.
Në foto, Prof.Dr.Kastriot Korro gjatë punës në laboratorProfesor Korro bën këtë analizë: “Ish-bazat ushtarake, zonat industriale të vjetra dhe tokat bujqësore me histori përdorimi intensiv të pesticideve përbëjnë burime potenciale kronike të ndotjes, që bletët i “lexojnë” përmes aktivitetit të tyre natyror të kullotjes.” Ky ekspozim i bletës ndaj pesticideve edhe në doza të ulëta ndikon në imunitetin e saj, riprodhimin dhe mbijetesën e kolonive. Kjo ndotje e qëndrueshme e mjedisit që prek bletët, prek biodiversitetin dhe në afatgjatë, edhe shëndetin e njeriut përmes zinxhirit ushqimor.
Përdorimi i pesticideve, ndikimet e tyre në mjedis dhe sigurinë ushqimore
Ndotja e mjedisit nga elemente dhe substanca kimike organike dhe inorganike, siç janë pesticidet, shkakton pasoja serioze për shëndetin e njeriut, duke përfshirë sëmundje të sistemit të frymëmarrjes, lëkurës dhe organeve të tjera jetësore, deri në rrezikim të drejtpërdrejtë të jetës. Në këtë kontekst, pesticidet përbëjnë një shqetësim të rëndësishëm dhe real për mjedisin dhe shëndetin publik – e nis renditjen e pasojave dhe ndikimin e pesticideve në mjedis dhe sigurinë ushqimore profesor Ferdi Brahushi. Si substanca kimike dhe biologjike, pesticidet përdoren për të kontrolluar, dëmtuar ose eliminuar organizma të padëshiruar si insektet, barërat e këqija, sëmundjet kërpudhore, brejtësit dhe dëmtues të tjerë që ndikojnë negativisht në prodhimin bujqësor, shëndetin e bimëve dhe cilësinë e produkteve ushqimore. Në listën e tyre përfshihen insekticide, herbicide, fungicide, acaricide, rodenticide, biocide dhe rregullatorë të rritjes bimore. Në vazhdën e bujqësisë moderne dhe për të rritur rendimentin por edhe për të siguruar ushqimin, efektet negative të pesticideve në mjedis, shëndetin e njeriut dhe biodiversitet u provuan me kalimin e kohës. Sot, pesticidet konsiderohen si mjete të nevojshme, por që kërkojnë përdorim të kujdesshëm, të kontrolluar dhe të bazuar në parimet e qëndrueshmërisë mjedisore.
Roli i përdorimit të pesticideve në bujqësi
“Në bujqësi, pesticidet luajnë një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e kulturave bujqësore nga sëmundjet, dëmtuesit dhe barërat e këqija, duke ndihmuar në rritjen e prodhimit dhe në sigurimin e qëndrueshmërisë ekonomike të fermave. Ato reduktojnë humbjet e prodhimit në fushë dhe gjatë magazinimit si edhe kontribuojnë në përmirësimin e pamjes dhe cilësisë tregtare të produkteve bujqësore.
Në shumë raste, përdorimi i pesticideve ka bërë të mundur kultivimin e kulturave të ndjeshme ndaj sëmundjeve dhe dëmtuesve, si dhe zgjerimin e prodhimit bujqësor në zona të reja. Për fermerët, pesticidet shpesh përfaqësojnë një mjet të shpejtë dhe efektiv për mbrojtjen e investimeve të tyre.
Megjithatë, përdorimi i tyre i tepruar ose i pakontrolluar ka sjellë pasoja serioze, si ndotja e mjedisit, rezistenca e dëmtuesve dhe rritja e rrezikut për shëndetin e njeriut. Për këtë arsye, roli i pesticideve në bujqësi duhet të rishikohet në kuadër të praktikave të qëndrueshme dhe të menaxhimit të integruar të dëmtuesve” – shprehet profesor Ferdi Brahushi.
Përdorimi i pesticideve në vendin tonë
Para viteve ‘90, si rezultat i politikës së prodhimit të çdo gjëje brenda vendit, prodhimi i pesticideve, i plehrave kimike, i sodës kaustike, i acidit sulfurik, i glicerinës, etj., kishte një përparësi të veçantë. Periudha pas viteve ‘90, pёrveç uljes sё prodhimit tё industrisё kimike, u shoqёrua me shkatёrrimin e disa ndёrmarrjeve kimike, tё cilat u shndёrruan nё zona tё ndotura shumё shqetёsuese dhe me risk tё lartё pёr shёndetin e njerёzve dhe mjedisin rrethues. Nё sajё tё pёrpjekjeve tё shumta ndёrkombёtare dhe kombёtare, njё pjesё e mirё e kёtyre pikave tё nxehta mjedisore tashmё janë rehabilituar, por vazhdon identifikimi dhe veprimi nё zona tё tjera mё pak kritike.
Pesticidet në vendin tonë prej shumë kohësh kanë zënë vendin kryesor për kontrollin e parazitëve të bimëve në bujqësi. Në fillim janë përdorur pesticidet klororganike si DDT, heptaklor, lindan (99% γ-HCH) etj., të cilat u përdorën për dezinfektimin e tokës, dezinfektimin e farërave dhe spërkatjen e shumë kulturave bujqësore kundër dëmtuesve të ndryshëm.
Për pesticidet profesor Brahusha të kthen pas në kohë. “Rreth viteve 1970 në vendin tonë, krahas prodhimit te pesticideve me bazë bakri (oksiklorur bakri) dhe me bazë squfuri (polisulfuri i kalciumit), filloi puna për prodhimin ose formulimin e pesticideve klororganike duke përdorur lëndë aktive importi. Pranë ish Ndërmarrjes Kimike në Durrës janë formuluar pesticidet si DDT, heptaklor, melipaks (toksafen) etj., dhe prodhuar hekzakloran dhe lindan, të cilat nga Konventa e Stokholmit janë cilësuar si pesticide Ndotës Organikë të Qëndrueshëm (NOQ). Lëndët aktive për këto formulime janë importuar nga Kina, Rumania, Franca, etj.” – thotë profesori.
Pas viteve ‘90 nuk ka prodhim të Produkteve për Mbrojtjen e Bimëve (PMB) në Shqipëri. Pesticidet që përdoren aktualisht në vendin tonë importohen pasi nuk ka industri vendase për prodhimin e tyre dhe importi i tyre është shtuar sidomos gjatë viteve të fundit. Vetëm PMB të regjistruara mund të importohen dhe të tregtohen dhe legjislacioni përkatës mbi PMB është mbështetur në atë Evropian.
Aktualisht, në vendin tonë, sipas të dhënave të FAOSTAT¹, përdoren rreth 300 – 450 ton pesticide në vit, nga të cilat fungicidet përbëjnë afërsisht 50%, insekticidet 10-15%, herbicidet rreth 10%, ndërsa grupet e tjera të pesticideve 25-30%. Përdorimi kryesor i tyre përqendrohet në sera, pemëtore intensive dhe vreshta. Këto sisteme prodhimi dhe kulturat e kultivuara në to, konsiderohen më të rrezikuara nga prania e mbetjeve të pesticideve; për këtë arsye, është e domosdoshme që ato t’i nënshtrohen monitorimit dhe kontrollit të vazhdueshëm.
Ndikimi i pesticideve mbi organizmat jo të synuar
Pesticidet nuk ndikojnë vetëm mbi dëmtuesit e synuar, por shpesh kanë efekte të dëmshme edhe mbi organizma të tjerë të dobishëm, të njohur si organizma jo të synuar. Një nga grupet më të prekura janë pjalmuesit, veçanërisht bletët, të cilat luajnë një rol jetik në pjalmimin e kulturave bujqësore dhe në ruajtjen e biodiversitetit.
Sipas Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë (FAO²), rreth 71 nga 100 kulturat bimore që sigurojnë 90% të ushqimit global varen nga pjalmimi i bletëve. Përdorimi i pesticideve, veçanërisht insekticideve, mund të shkaktojë helmime akute ose kronike të bletëve, të çojë në dezorientim, ulje të riprodhimit dhe rënie të kolonive të bletëve.
Po ashtu, krimbat e tokës, mikroorganizmat e tokës dhe artropodët e dobishëm ndikohen negativisht nga pesticidet, duke dëmtuar proceset natyrore të riciklimit të lëndëve ushqyese, strukturën e tokës dhe pjellorinë e saj. Këto efekte afatgjata kontribuojnë në prishjen e ekuilibrave biologjikë natyrorë dhe në uljen e biodiversitetit.
Ndikimi i pesticideve në ndotjen e tokës dhe ujërave
Pesticidet mund të ndotin tokën, ujërat sipërfaqësore dhe ato nëntokësore përmes shpëlarjes nga reshjet, infiltrimit në tokë dhe transportit nga era. Një pjesë e pesticideve degradohen ngadalë dhe mund të qëndrojnë në mjedis për periudha të gjata, duke u akumuluar në ekosisteme.
Në Shqipëri, studime të kryera në zona të caktuara, si Porto Romano, kanë evidentuar nivele shumë të larta të pesticideve të ndaluara, përfshirë lindanin, DDT-në dhe hekzaklorobenzenin, si në tokë ashtu edhe në ujë. Këto ndotje janë pasojë e përdorimit historik të pesticideve persistente, si dhe e menaxhimit të papërshtatshëm të mbetjeve kimike industriale dhe bujqësore.
Në tokë, lindani është detektuar në nivele që variojnë nga 1290 deri në 3140 mg/kg, vlera jashtëzakonisht të larta dhe shumëfish mbi normat e lejuara, ndërsa hekzaklorobenzeni është evidentuar në përqendrime rreth 3.7 µg/kg. Në ujë, lindani është detektuar në intervalin 1.47-16 µg/l, që përfaqëson rreth 15 deri në 160 herë më shumë se vlerat e lejuara. Po ashtu, klorobenzeni është regjistruar në përqendrime rreth 4.4 mg/l, ose afërsisht 4000 herë mbi normën e lejuar, ndërsa DDT-ja është detektuar në nivele rreth 9.8 µg/l, që korrespondon me rreth 100 herë mbi kufijtë e lejuar.
Këto të dhëna tregojnë një ndotje serioze dhe afatgjatë të mjedisit, me rrezik të konsiderueshëm për ekosistemet dhe shëndetin e njeriut, duke nënvizuar nevojën urgjente për masa rehabilituese dhe monitorim të vazhdueshëm mjedisor. Ndotja e tokës çon në degradimin e saj, uljen e pjellorisë dhe rrezikimin e prodhimit bujqësor afatgjatë, ndërsa ndotja e ujërave përbën një kërcënim serioz për ekosistemet ujore dhe për furnizimin me ujë të pijshëm.
Përdorimi i pesticideve, ndotja dhe siguria ushqimore
Ekziston një lidhje e drejtpërdrejtë midis përdorimit të pesticideve në bujqësi, ndotjes së tokës dhe ujërave dhe sigurisë ushqimore. Ndotja mjedisore çon në akumulimin e pesticideve në zinxhirin ushqimor, duke rritur rrezikun për shëndetin e njeriut.
Siguria ushqimore nuk lidhet vetëm me sasinë e ushqimit të prodhuar, por edhe me cilësinë dhe sigurinë e tij. Prania e mbetjeve të pesticideve mbi normat e lejuara rrezikon shëndetin e konsumatorëve dhe dëmton besimin në produktet bujqësore vendase. Për këtë qëllim, bazuar në shkallën e toksicitetit të pesticideve janë përcaktuar ato nivele të mbetjeve të pesticideve që quhen Mbetjet Maksimale të Lejueshme (MML) ose norma të lejuara në produktet me origjinë bimore dhe shtazore të cilat janë të parrezikshme për jetën e njeriut. Mbetjet Maksimale të Lejueshme janë përcaktuar për çdo lëndë aktive të pesticideve dhe produkt me origjine bimore dhe shtazore që konsumohen nga njerëzit. Vendi ynë ka miratuar të njëjtat normativa si dhe Bashkimi Europian (BE) në lidhje me MML-të. Produktet bujqësore dhe blegtorale në kuadër të sigurisë ushqimore duhet që para se të dalin në treg duhet ti nënshtrohen analizës për mbetjet e mundshme të pesticideve në produkt, sipas një plani monitorimi dhe vlerësim risku. Në rastet kur këto mbetje janë mbi normat e lejuara ose MML duhet që produktet ushqimore të mos konsumohen dhe të eleminohet, pasi rrezikojnë shëndetin e njeriut.
”Prandaj, kontrolli i përdorimit të pesticideve dhe monitorimi i mbetjeve të tyre janë elementë kyç për garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit publik” – deklaron profesor Ferdi Brahushi.
Parazitët, një tjetër rrezik për bletët
Ndërsa gjatë 2025 rezulton se prej AZHBR përfituan 300 aplikantë për t`u mbështetur financiarisht për mbarështimin e bletarisë, në terren vështirësia nuk është vetëm financimi. Theodhori Likoka, bletërritës, e shikon të gjithë këtë proces të rëndësishëm dhe të varur nga kullotat ku ai i dërgon kolonitë. Likoka është nga Himara dhe ja kushtoi jetën bletërritjes, mbasi e trashëgoi profesionin nga i ati dhe më tej në 1988 u diplomua si teknik bletësh në Tiranë. Prej 42 vitesh bletar, ai e zhvendos tufën katër herë në vit për kullotë dhe përpara se të flasë për vështirësitë që ndesh merr frymë thellë. I lidh të gjitha me shërimin e tyre nga sëmundja e varrostozës, që nëse nuk trajtohet, zhduk të gjitha familjet e pakuruara të bletëve.
“Së pari shumë bletarë nuk e bëjnë këtë proces siç duhet, dhe e dyta ilaçi ka rëndësi, ndaj unë i marr në Greqi dhe u jap medikament biologjik” – e nis rrëfimin Theodhoriu. Me këtë betejë duke luftuar varrostozën e thënë në gjuhë popullore morrin dhe mykun, Theodhoriu shprehet se sfida tjetër lidhet me përzgjedhjen e kullotës, për ti qëndruar larg mjedisit ku përdoren pesticide e në këtë mënyrë për të mos rrezikuar. “Tani ju bëra ilaçin dhe të them të drejtën nuk jam i kënaqur. I pastrova katër herë, por bleta e merr mikrobin në kullotë. Nëpër fusha mund të rrezikojnë, por ato rrezikojnë edhe nga mënyra se si bëhet trajtimi i sëmundjeve. Por të gjithë këtë e lidh edhe me ndryshimin e kushteve klimaterike, nga shirat në thatësira duke i lënë bletët mbetën brenda dhe duke i dobësuar” – rrëfehet bletërritësi. Theodhoriu i ka sjellë bletët pranë shtëpisë për dimër, vend ku do ti mbajë deri në 25 prill kur përfundon lulëzimi i portokalleve dhe agrumeve të tjera. “Më pas do i largoj se nisin spërkatjet dhe kam merak, edhe pse gjatë lulëzimit të pemëve zona e jugut nuk i bën kurrë spërkatje se prish lulen, sërish druhem. Nga prilli i lëviz deri në fund të majit dhe në fillim të qershorit i lëviz prapë i coj në male. Kurse në fund të shtatorit i rikthej në Himarë që të kullosin kocimaren” e mbyll rrëfimin bletërritësi. Pra qëllimi i tij është një dhe I vetëm, si ta mbajë tufën larg sa më larg fushave e rrjedhimisht larg pesticideve.
Në foto, Theodhori Likoka, bletërritës, Himarë“Tmerri” i bletërritësve nga pesticidet dhe moti
Dhe himarioti Likoka ka të drejtë të shqetësohet. Profesori I njohur Agim Likaj e lidh bletën pandashmërisht me njeriun dhe natyrën. “Nga pesticidet që përdoren sot nëpër fruta dhe bimët e kultivuara, në pemë qëndron vetëm 25 përqind e sasisë, ndërsa 75 përqind e tyre bie në tokë. Toka është e kimizuar, është e ngopur me pesticide e kur vjen momenti I prodhimit të nektarit dhe polenit, detyrimisht që ato nuk janë të plota dhe kanë mungesa të mikroelementëve dhe të amoniocideve që janë të pazëvendësueshme. Ndaj këto I rrezikojnë bletët që kanë një uri të fshehur. Në pamje të pare duket sikur ato kanë prodhuar mjaltë, por mjalti nuk ka përbërje të plotë që ti mbajë dhe kjo u shkurton bletëve jetën” – thekson professor Likaj.
Në foto, Profesor Agim Likaj, autor i studimit për bletët dhe pesticidetHashashi, një tjetër “vrasës” bletësh
Po aq të disfavorshme vlerësohen edhe kushtet klimaterike dhe thatësira. Pikërisht për shkak motit të ftohtë dhe dëborës Dalif Noka, babai i ish ministrit të brendshëm Flamur Nokës, i transferoi në dimrin e ftohtë familjet e bletëve nga Novoseja e Kukësit në fshatrat e Tiranës. Por këtu me sa duket ra nga shiu në breshër. “Në 2016 i dërguam bletët për kullotë dimërore në Zall Herr, për shkak të temperaturave shumë të ulëta që kishte në veri. Aty në praverë sapo çelën lulet, çeli dhe hashashi që kishte mbirë kudo. Të gjitha familjet e bletëve braktisën kosheret, ikën larg. Kullota në mal është e pastër në fakt dhe kur i sjellim këtu meraku ngelet hashashi i pari dhe pesticidet të dytat” – shprehet Dalifi. Të njëjtën frikë nga ekosistemi dhe përdorimi i pesdicideve ka edhe bletari Agron Asllani. ‘Kam 300 bletë dhe i shtegtoj vazhdimisht. Në Gramsh, në Pogradec dhe në Peqin. Një jetë në kullotë natyrore se bleta vdes po ra në kontakt me pesticide” – na rrëfen bletari.
Në foto, Dalif Noka, bletërritësNë këtë kontekst, mbrojtja e bletëve dhe përdorimi i qëndrueshëm i pesticideve nuk janë thjesht një çështje mjedisore, por një domosdoshmëri kritike për sigurinë ushqimore, ruajtjen e biodiversitetit dhe vetë të ardhmen e bujqësisë në vendin tonë. Zhdukja graduale e bletëve përfaqëson një nga kërcënimet më të mëdha të heshtura të kohës sonë, pasi këto insekte janë përgjegjëse për polenizimin e një pjese të konsiderueshme të kulturave ushqimore dhe bimësisë natyrore. Pa praninë e tyre, zinxhiri ushqimor dobësohet, prodhimi bujqësor bie dhe ekosistemet humbasin ekuilibrin e tyre natyror.
Të dhënat shkencore dhe studimet në zhvillim tregojnë se ky nuk është një rrezik hipotetik, por një proces që tashmë ka nisur dhe që kërkon ndërhyrje të menjëhershme përmes monitorimit të vazhdueshëm, politikave më të forta rregullatore dhe ndërgjegjësimit të fermerëve dhe publikut. Mbrojtja e bletëve është në thelb, mbrojtje e vetë sistemit që garanton ushqimin dhe jetën.
*Ky material është krijuar me mbështetjen e projekti GreenAL, një projekt i financuar nga Agjencia Ndërkombëtare Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim me fonde nga Qeveria Suedeze dhe zbatohet nga Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitatit, në bashkëpunim me VIS Albania dhe COSV – Cooperazione per lo Sviluppo. Pikëpamjet dhe përfundimet e përfshira këtu nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë Suedeze ose të Sida-s, Agjencisë Ndërkombëtare Suedeze për Bashkëpunim për Zhvillim. /POZITIVI















