SPAK ka lëshuar urdhër arresti për Jetmir Pepën, i njohur si “Mir Pepa”, person me precedentë penalë, i cili prej muajsh rezulton në kërkim.
Pepa është paraqitur publikisht si biznesmen dhe figurë e lidhur me jetën e natës, por dosja hetimore paraqet një realitet tjetër, ku në qendër janë përgjimet e bisedave të tij me dy motrat Berisha, të mbushura me tensione, borxhe dhe përplasje për para.
Nga përgjimet rezulton një situatë e rënduar financiare mes palëve, me akuza të ndërsjella dhe pakënaqësi të forta për mënyrën e menaxhimit të parave. Në disa prej fragmenteve, presioni për sigurimin e të ardhurave shfaqet qartë: “Sa lek jeni borgj… dun lek prap… na duhen lekt… ska lek se s’kena ba pun!!”
Në këtë kontekst, në biseda del edhe emri i kryebashkiakut të Lezhës, Pjerin Ndreu, ku përmendet një pagesë specifike: “300 euro duhen me marr punën… duhen 300e me ja dhan Pjerinit…”.
Ky detaj ka ngritur pikëpyetje mbi natyrën e “punëve” që kërkojnë pagesa paraprake dhe e bën çështjen më sensitive për shkak të përfshirjes së një figure publike.
Një tjetër fragment i përgjimeve tregon kontrastin mes aseteve të përmendura dhe mungesës së likuiditetit: “Token e kena peng 100 hektar… nuk i ka lekt… duhen lekt tani…”.
Edhe pse përmenden prona të konsiderueshme, situata reale duket e rënduar nga mungesa e parave cash.
Tensionet mes Pepës dhe motrave Berisha reflektohen edhe në debatet për mënyrën e shpenzimit të parave: “Ju keni menjen veç me pagu lekt gjysma për ato badigardat… duhet me i ba vet punët…”.
Në një tjetër pjesë të përgjimeve theksohet gjendja e vështirë financiare: “Kan ra në hall për lek… tu shku tu marr pun në çdo ven… tu kërku lek borxh…”.
Jetmir Pepa është ish-bashkëshorti i Mariela Berishës, motrës së Antonela Berishës, të cilat dhunuan brutalisht blogeren Klea Prenga në mbrëmjen e 6 gushtit 2024.
Ai rezulton person me precedentë kriminalë dhe është shpallur në kërkim edhe më herët pas një sherri me armë.
Sipas të dhënave, Pepa ka qëlluar me armë zjarri në Parkun Olimpik në Tiranë gjatë një koncerti festiv në natën e ndërrimit të viteve.
Pas një konflikti, ai ka qëlluar dy herë në mes të koncertit dhe është larguar nga vendngjarja, ndërsa në skenë po performonte reperi Stresi.
Koncerti zhvillohej në sallën e Parkut Olimpik në rrugën “Liman Kaba”, e marrë me qira nga Cinco Cavalli Group.
















