Oferta e njohur britanike “meal deal”, një kombinim i gatshëm i sanduiçit, pijes dhe ushqimit të lehtë me një çmim të vetëm – është kthyer në simbol të ritmit të shpejtë të jetës moderne. Megjithëse u premton konsumatorëve kursim dhe lehtësi në zgjedhje, kritikët argumentojnë se ajo po zëvendëson kulturën tradicionale të pushimit të drekës.
Historikisht, britanikët dhe francezët kanë kritikuar mënyrën se si ushqehet pala tjetër. Në Britani është e zakonshme që punonjësit të hanë drekën në tavolinën e punës, ndërsa në Francë ngrënia në vendin e punës mbetet teorikisht e ndaluar nga një ligj i vitit 1894, i miratuar fillimisht për arsye shëndetësore në fabrikat e prodhimit të shkrepëseve.
Megjithatë, historia tregon se edhe francezët nuk kanë qenë gjithmonë dakord me këtë rregull. Disa nga grevat e para të grave punëtore në Francë u organizuan pikërisht kundër ndalimit të ngrënies në vendin e punës, pasi detyrimi për të dalë në rrugë gjatë pushimit të drekës i ekspozonte ato ndaj ngacmimeve.
Sipas analizës së publikuar nga revista The Spectator, popullariteti i “meal deal” nuk lidhet vetëm me çmimin. Ai u ofron njerëzve një ndjenjë kursimi dhe shmang stresin e zgjedhjes së ushqimit, duke e bërë vendimin të shpejtë dhe të thjeshtë. Megjithatë, kjo komoditet mund të ketë një kosto kulturore, pasi pushimi i drekës po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një vakt të konsumuar mes detyrave të punës, në vend të një momenti relaksi dhe socializimi. /skyweb.al
















