Pas përfundimit të provimeve të Maturës Shtetërore, maturantët dhe kandidatët që duan të ndjekin studimet e larta duhet të ndjekin afatet e aplikimit në universitet.
Ministria e Arsimit ka publikuar kalendarin e aplikimeve universitare për vitin 2026, ku përcaktohen datat për pagesën e tarifës, aplikimin online, renditjen e kandidatëve dhe regjistrimin në institucionet e arsimit të lartë.
Në raundin e parë, pagesa e tarifës dhe konfirmimi online do të kryhen nga data 3 deri më 24 korrik.
Më pas, aplikimi online në portalin U-Albania do të zhvillohet nga 27 korriku deri më 1 gusht.
Gjatë aplikimit, kandidatët do të kenë mundësi të zgjedhin deri në 10 programe studimi.
Renditja e aplikantëve për raundin e parë do të publikohet më 22 gusht, ndërsa ankimimet do të bëhen më 24 gusht.
Regjistrimi në universitete për raundin e parë do të zhvillohet nga 26 gushti deri më 8 shtator.
Ky proces do të kryhet përmes 7 fazave 48-orëshe, sipas renditjes së kandidatëve.
Kandidatët që nuk regjistrohen në raundin e parë, ose që zgjedhin të çregjistrohen, do të kenë mundësi të marrin pjesë në raundet pasuese.
Raundi i dytë nis më 30 gusht me pagesën e tarifës dhe vijon me aplikimet online nga 15 deri më 17 shtator.
Raundi i tretë, i cili përfshin kandidatët që nuk kanë aplikuar në dy raundet e para, do të zhvillohet gjatë muajit tetor.
Ministria e Arsimit u bën thirrje maturantëve të ndjekin me kujdes afatet dhe të kryejnë në kohë procedurat në portalin U-Albania.
Mosrespektimi i afateve mund t’u kushtojë kandidatëve humbjen e mundësisë për t’u regjistruar në programin e dëshiruar.
















