Inteligjenca Artificiale ishte tema që dominoi këtë javë takimin vjetor të Bankës Qendrore Europiane në Sintra të Portugalisë, ku morën pjesë disa nga bankierët më të rëndësishëm në botë.
Në qendër të diskutimeve ishte një pyetje e madhe ende pa përgjigje: Si do ta ndryshojë inteligjenca artificiale ekonominë globale dhe çfarë rreziqesh mund të sjellë për stabilitetin financiar.
Përfundimi i përgjithshëm i diskutimeve ishte se AI ka potencialin të prekë pothuajse çdo sektor, si tregjet financiare, tregun e punës, kreditimin, sigurinë kibernetike dhe madje edhe kërkesën për energji.
“Nëse AI tejkalon pritshmëritë, do të ndikojë stabilitetin financiar. Nëse nuk i përmbush pritshmëritë, sërish do të ndikojë stabilitetin financiar”, deklaroi Torsten Slok nga Apollo Global Management, gjatë një prej paneleve kryesore të forumit.
Sipas pjesëmarrësve në konferencë, inteligjenca artificiale mund të sjellë përfitime të mëdha për ekonominë, por në të njëjtën kohë mund të krijojë rreziqe që autoritetet financiare sot nuk i kontrollojnë dot plotësisht.
Kevin Warsh, i prezantuar si kryetar i ri i Rezervës Federale amerikane, e cilësoi revolucionin e inteligjencës artificiale si një nga momentet më të rëndësishme ekonomike të kohës sonë.
“Kjo është periudha më me pasoja për ekonomitë tona, ndoshta gjatë gjithë jetës sonë”, tha Warsh, duke shtuar se bota është ende vetëm në fazat e para të këtij revolucioni.
Një nga shqetësimet kryesore lidhet me tregjet financiare. Sot, një pjesë e madhe e tregtimit në bursa kryhet automatikisht. Por me përfshirjen më të madhe të inteligjencës artificiale, ekspertët paralajmërojnë se algoritmet mund të krijojnë flluska financiare shumë më shpejt se më parë dhe më pas t’i rrëzojnë ato me të njëjtën shpejtësi.
Profesori Itay Goldstein nga Universiteti i Pensilvanisë paralajmëroi se algoritmet mund të koordinohen për të ndikuar çmimet në mënyrë manipuluese.
Sipas tij, nëse algoritmet arrijnë të krijojnë lëvizje të koordinuara në tregje, kjo mund të çojë në rritje artificiale të çmimeve, krijim flluskash dhe më pas rrëzime të forta, me pasoja për stabilitetin financiar.
Një tjetër rrezik që u përmend në forum është vetë flluska e aksioneve të kompanive të lidhura me inteligjencën artificiale. Investimet masive në infrastrukturën e AI, përfshirë qendrat e të dhënave, çipat dhe sistemet kompjuterike, kanë fryrë pritshmëritë e tregjeve.
Torsten Slok vlerësoi se vetëm shpenzimet kapitale për AI kanë shtuar rreth një pikë përqindjeje në rritjen e PBB-së së SHBA-së.
Por ekspertët paralajmërojnë se rritja e shpejtë e vlerësimeve në treg mund të ngjajë me episode të mëdha historike të flluskave financiare, si “mania e hekurudhave” në Britaninë e shekullit XIX, vitet 1920 apo flluska e kompanive të internetit në fund të viteve ’90.
Banka për Shlyerjet Ndërkombëtare paralajmëroi se shkalla dhe ritmi i investimeve aktuale në AI, së bashku me pritshmëritë për rritje të madhe produktiviteti, ngjajnë me precedentë historikë që janë shoqëruar me rreziqe të mëdha në afat të shkurtër.
Një tjetër fushë ku AI pritet të sjellë ndryshime të mëdha është kreditimi bankar. Bankat mund ta përdorin inteligjencën artificiale për analiza më të avancuara të riskut dhe për t’u dhënë kredi klientëve që sot mbeten jashtë sistemit tradicional.
Por kjo krijon një problem të madh për mbikëqyrësit financiarë. Tobias Adrian, zyrtar i lartë i Fondit Monetar Ndërkombëtar, tha se vendimet automatike për kredi mund të jenë të vështira për t’u shpjeguar dhe kontrolluar.
“Si do t’i vlerësojnë mbikëqyrësit këto vendime për kredi? Janë disi ‘kuti e zezë’. Mungesa e shpjegueshmërisë është një sfidë kyçe për mbikëqyrjen”, tha Adrian.
Rrezik tjetër është siguria kibernetike. Sa më shumë të përhapet inteligjenca artificiale, aq më të sofistikuara mund të bëhen sulmet ndaj bankave, kompanive dhe institucioneve publike. Kostoja për t’u mbrojtur nga këto sulme mund të rritet ndjeshëm, duke goditur më shumë firmat dhe vendet më të dobëta.
Sarah Breeden, zëvendësguvernatore e Bankës së Anglisë, hodhi idenë se në të ardhmen mund të nevojiten mekanizma sigurimi për rastet e sulmeve kibernetike, të ngjashme me sigurimin e depozitave në rast falimentimi bankash.
Rreziku më i madh, megjithatë, lidhet me ndikimin e AI në tregun e punës. Nëse inteligjenca artificiale arrin të zëvendësojë në masë punën njerëzore, kjo mund të sjellë rritje të papunësisë, rënie të të ardhurave të familjeve dhe goditje për konsumin.
Në këtë skenar, suksesi i madh i AI mund të kthehet në problem për ekonominë globale, pasi ulja e të ardhurave do të dobësonte kërkesën dhe do të rriste rrezikun e recesionit.
Nga ana tjetër, nëse AI nuk arrin të japë produktivitetin e premtuar, atëherë investimet gjigante në këtë sektor mund të rezultojnë të mbivlerësuara, duke shkaktuar humbje të mëdha për tregjet.
Guvernatori i Bankës së Kanadasë, Tiff Macklem, e krahasoi situatën me periudhën e internetit.
“Interneti doli më i mirë nga sa e kishte imagjinuar kushdo dhe krijoi biznese të reja, por prapë patëm flluskën dotcom”, tha ai. /Reuters















