Administrata Tatimore ka rikujtuar tatimpaguesit për afatet e përfitimit nga falja me kusht e detyrimeve tatimore, sipas ligjit nr. 86/2025. Për detyrimet e viteve 2015–2019, deri më 31 dhjetor 2026 duhet të paguhet 75% e principalit, ndërsa 25% e mbetur, së bashku me gjobat dhe kamatëvonesat, do të falen. Për detyrimet e periudhës 2020–2024 kërkohet pagesa e plotë e principalit, me faljen e gjobave dhe kamatëvonesave.
Një afat tjetër i rëndësishëm është 30 nëntori 2026. Tatimpaguesit që kanë ankime administrative apo procese gjyqësore duhet të paraqesin aktin e heqjes dorë nga ankimi, padia ose rekursi për të përfituar nga skema. Ndërkohë, për detyrimet deri më 31 dhjetor 2014 parashikohet fshirje e plotë, me përjashtim të principalit të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Skema nuk zbatohet për kategoritë e përjashtuara shprehimisht nga ligji.
















