Prodhuesit grekë të ullirit po përballen me një krizë të rëndë të mungesës së fuqisë punëtore, në një kohë kur sezoni i vjeljes është në kulmin e tij. Megjithëse pagesat për punëtorët kanë arritur deri në 80 euro në ditë, fermerët ankohen se nuk po gjejnë njerëz për të mbledhur prodhimin.
Kultivuesit e ullirit shprehen të dëshpëruar për mungesën e punëtorëve dhe rritjen e vazhdueshme të kostove.
Sipas tyre, problemi është bërë veçanërisht shqetësues këtë vit, pasi prodhimi i ullirit paraqitet i mirë, por mungojnë njerëzit që duhet ta vjelin.
Në disa zona të Greqisë, pagesa ditore për një punëtor ka arritur në 70–80 euro, ndërsa fermerët shpesh duhet të mbulojnë edhe shpenzimet e ushqimit dhe akomodimit.
Për një fermer që punëson pesë persona, vetëm pagesat ditore arrijnë në 400 euro, pa përfshirë shpenzimet e tjera të procesit të vjeljes.
Por ndërsa kostoja e punës është rritur ndjeshëm, çmimi i vajit të ullirit që marrin prodhuesit ka rënë, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë mbulimin e shpenzimeve.
Sipas gazetës greke Kathimerini, fermerët po e shesin vajin e ullirit me rreth 3.20–3.30 euro për litër, një nivel që në shumë raste nuk mbulon kostot e prodhimit dhe të vjeljes.
Kjo ka krijuar një situatë paradoksale: ullinjtë janë në pemë, kërkesa për punëtorë është e lartë dhe pagesat janë rritur, por një pjesë e fermerëve po shqyrtojnë mundësinë që të mos e mbledhin fare prodhimin.
Problemi është veçanërisht i theksuar në rajone si Mesenia dhe Kreta, ku kultivimi i ullirit përbën një aktivitet të rëndësishëm ekonomik.
Fermerët ankohen se përveç rritjes së pagesave, mungesa e punëtorëve po i detyron të shtyjnë vjeljen, duke rrezikuar cilësinë dhe sasinë e prodhimit që mund të tregtohet.
Një nga shkaqet kryesore lidhet me vështirësitë për sigurimin e punonjësve të huaj, të cilët tradicionalisht kanë mbuluar një pjesë të konsiderueshme të nevojave të sektorit bujqësor grek.
Prodhuesit raportojnë se procedurat për sjelljen e punëtorëve nga vende si Shqipëria, India, Pakistani, Bangladeshi dhe Egjipti janë të ndërlikuara dhe shpesh zgjasin më shumë se vetë sezoni i punës.
Për pasojë, edhe fermerët që kanë mundësi të paguajnë deri në 80 euro në ditë nuk arrijnë gjithmonë të sigurojnë numrin e nevojshëm të punonjësve.
Në të njëjtën kohë, çmimet e ulëta të shitjes së vajit të ullirit po e përkeqësojnë situatën financiare të prodhuesve, të cilët paralajmërojnë se një pjesë e të ardhurave po shkon vetëm për mbulimin e shpenzimeve. /skyweb.al















