Tirana do të mirëpresë këtë të diel edicionin e 10-të të Maratonës së Tiranës, një aktivitet sportiv që pritet të mbledhë rreth 5.800 pjesëmarrës. Për shkak të zhvillimit të garës, e cila do të përshkojë disa prej rrugëve kryesore të qytetit, do të ketë kufizime të përkohshme në qarkullimin e automjeteve.
Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, ka hartuar një plan masash për organizimin e trafikut dhe devijimin e mjeteve gjatë zhvillimit të aktivitetit.
Sipas planit, kufizimet do të nisin në orën 08:00 dhe do të vijojnë deri në orën 16:00. Bllokimet do të përfshijnë disa akse kryesore, duke filluar nga sheshi “Nënë Tereza”, përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, bulevardit “Zogu I” dhe “Bulevardit të Ri”.
Gjithashtu, do të kufizohet qarkullimi në rrugën e Durrësit, rrugën e Kavajës, rrugën “Myslym Shyri”, si dhe në bulevardin “Zhan D’Ark”, nga kryqëzimi me rrugën “George W. Bush” deri në takimin me bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Kufizime dhe devijime do të ketë edhe në Unazën e Mesme, me përjashtim të segmentit nga ura e Gjykatës së Rrethit Tiranë deri te rruga e Elbasanit. Në listën e akseve të prekura përfshihen gjithashtu rruga “Luigj Gurakuqi”, rruga e Dibrës, rruga e Barrikadave, rruga “Mine Peza” dhe segmenti i rrugës së Kavajës, nga ura pranë Shkollës Teknologjike deri te kryqëzimi i “21 Dhjetorit”.
Ndërkohë, Bashkia e Tiranës njofton se nga ora 08:00 deri në orën 16:00 do të ndalohet edhe qarkullimi i automjeteve të transportit të përzier, mjeteve teknologjike dhe transportit të pasagjerëve në të gjithë hapësirën brenda Unazës së Madhe.
Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të automjeteve të marrin parasysh kufizimet, të shmangin akset e bllokuara dhe të përdorin itinerare alternative gjatë orëve të zhvillimit të maratonës. /skyweb.al















