Familjet dhe bizneset e vogla mund të kenë mundësinë të zgjedhin një furnizues tjetër të energjisë elektrike, madje edhe duke u organizuar në grupe. Kjo parashikohet në projekt-rregulloren e re të Entit Rregullator të Energjisë (ERE), e cila synon të lehtësojë kalimin e konsumatorëve nga një kompani furnizimi te një tjetër.
Sipas draftit, në skemat kolektive mund të përfshihen klientët familjarë, ndërmarrjet mikro dhe ato të vogla. Për realizimin e këtij procesi, operatorët e shpërndarjes, transmetimit dhe furnizuesit duhet të krijojnë mundësitë për aplikim përmes platformave elektronike, duke garantuar mbrojtjen e konsumatorëve dhe shmangien e pengesave të panevojshme administrative.
Një tjetër ndryshim i parashikuar është kalimi i procedurës në format digjital. Kërkesa për ndërrimin e furnizuesit do të regjistrohet në platformën elektronike të operatorit të rrjetit me të cilin është i lidhur konsumatori.
Aplikimi mund të kryhet drejtpërdrejt nga klienti ose nga kompania e re e furnizimit, nëse kjo e fundit është e autorizuar prej tij. Megjithatë, do të ruhet edhe mundësia e paraqitjes së kërkesës në formë shkresore, e cila më pas do të hidhet në sistemin elektronik nga operatori.
Projekt-rregullorja përcakton se procedura e plotë e ndryshimit duhet të mbyllet brenda një periudhe maksimale prej tri javësh. Ndërsa kalimi teknik nga një furnizues te tjetri duhet të realizohet brenda 24 orëve, pasi të jenë përmbushur të gjitha kushtet dhe të ketë mbërritur data e hyrjes në fuqi të kontratës së re.
Gjatë kësaj periudhe, konsumatorët nuk do të mbeten pa energji elektrike, pasi furnizuesi ekzistues do të vijojë shërbimin deri në përfundimin e procesit.
Një tjetër lehtësi e parashikuar në draft është se familjet dhe bizneset mikro e të vogla nuk do të paguajnë tarifa për ndryshimin e furnizuesit. /skyweb.al
















