Ulja e TVSH-së për produktet e shportës në 6%, heqja e taksës së qarkullimit, zgjerimi i bonusit të bebeve dhe dyfishimi i bonusit për pensionistët janë disa nga masat që qeveria synon të zbatojë në kuadër të paketës së re mbështetëse për qytetarët.
Gjatë fjalës së tij në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama deklaroi se këto politika janë bërë të mundura falë rritjes së të ardhurave dhe zgjerimit të ekonomisë. Ai u shpreh se mbështetja për pensionistët do të vijojë të rritet çdo vit.
“Kemi bërë një paketë fiskale që është për shkak të arritjeve. E kemi thënë dhe më parë që duam të ulim TVSH-në për shportën, por s’e kemi bërë dot derisa u krijua mundësia. […] Dhe po kështu skema e re e bonusit të bebeve. Dhe ja ku jemi sot, kemi një skemë të bonusit më të zgjeruar, sepse janë rritur mundësitë ekonomike. Natyrisht që ne duam të bëjmë shumë më tepër për pensionistët, por sot po bëjmë atë që nuk e bënim dot dje. Dhe ne do t’i qëndrojmë janar për janar dhe vit për vit premtimit për bonusin e pensionistëve, sepse na e lejon ekonomia”, deklaroi Rama.
Kryeministri u ndal edhe te rëndësia e investimeve për vijimin e rritjes ekonomike, duke theksuar se disa projekte të mëdha janë aktualisht të bllokuara. Sipas tij, vendi duhet të zgjedhë nëse do të vijojë të jetë i hapur ndaj investitorëve, pasi vetëm përmes zhvillimit ekonomik mund të krijohen më shumë të ardhura për t’u rishpërndarë.
“Ne duhet t’u themi njerëzve që na duhet më shumë ekonomi, por për më shumë ekonomi na duhen më shumë investime, sipërmarrje. Janë bllokuar disa investime të mëdha që janë në pritje. A do të vazhdojë Shqipëria të jetë e hapur për investitorët apo do të stepet në një pikë ku do të ishte fatale? […] Nuk rishpërndahet varfëria. Rishpërndahet pasuria dhe pasuria duhet krijuar”, u shpreh kreu i qeverisë.
Në përfundim, Rama e cilësoi Shqipërinë në një moment kyç të procesit të integrimit europian, duke iu referuar rekomandimit për nisjen në vitin 2027 të përgatitjeve për hartimin e traktatit të anëtarësimit në Bashkimin Europian. /skyweb.al
















