Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste po zhvillon punimet me dyer të mbyllura në Gjirin e Lalëzit, ku në fokus janë diskutimet mbi zhvillimet politike brenda partisë dhe organizimin e saj në prag të zgjedhjeve vendore të vitit 2027.
Mbledhja u hap me fjalën e kryeministrit Edi Rama, i cili kërkoi ndërprerjen e transmetimit për mediat, me argumentin se fillimisht dëshironte të përcillte disa mesazhe drejtuar anëtarëve të Asamblesë. Gjatë kësaj kohe, komunikimi me personat brenda sallës ishte i pamundur, pasi telefonat u mbajtën të fikur.
Pas përfundimit të kësaj pjese të mbledhjes, Rama foli publikisht për procesin e integrimit europian, duke e cilësuar historik rekomandimin e Komisionit Europian për nisjen e përgatitjeve për traktatin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE në vitin 2027.
Kryeministri u bëri thirrje strukturave socialiste në të gjithë vendin të angazhohen për zgjedhjet vendore të 9 majit 2027, ndërsa Asambleja vijon diskutimet për çështjet e brendshme të partisë.
Një tjetër zhvillim i rëndësishëm lidhet me kërkesën e Ramës për të hedhur në votim në përfundim të Asamblesë përjashtimin nga PS të Elisa Spiropalit dhe Plarent Ndrecës.
Kjo kërkesë ka sjellë reagime brenda mbledhjes. Fatmir Xhafaj ka kundërshtuar përjashtimin, duke kërkuar që ndaj tyre të merren masa, por jo të largohen nga partia.
Ndërkohë, nga burgu i Fierit, Erion Veliaj u ka dërguar anëtarëve të Asamblesë një letër të gjatë, me titull “Partia Socialiste është më e madhe se kryetari i saj”. /skyweb.al
















