Kryebashkiakja socialiste e Roskovecit, Majlinda Bufi, arriti t’i shpëtojë dënimit të kërkuar nga SPAK për akuzën e përdorimit të funksionit publik për veprimtari zgjedhore, por një raport i ri i Kontrollit të Lartë të Shtetit zbulon shkelje serioze në një tender prej rreth 150 milionë lekësh, të zhvilluar nga bashkia që ajo drejton.
Bëhet fjalë për investimin për rritjen e sigurisë së digës dhe përmirësimin e aftësisë ujëmbledhëse të rezervuarit të Kurjanit, ku KLSH ka evidentuar probleme që nga shpallja e fituesve deri te zbatimi i kontratës dhe llogaritja e penaliteteve për vonesat.
Gjetjet ngrenë pikëpyetje për mënyrën se si janë administruar fondet publike dhe mund të bëhen objekt verifikimi edhe nga organet e drejtësisë, megjithëse aktualisht nuk ka një hetim të konfirmuar të SPAK për këtë tender apo një akuzë të re ndaj Bufit.
Procedura është zhvilluar më 28 tetor 2024 nga Bashkia Roskovec, me fond limit 153 milionë lekë pa TVSH dhe financim nga buxheti i shtetit.
Fitues u shpall bashkimi i operatorëve ekonomikë K.M.K SHPK dhe Caushi M SHPK, me ofertë 125.4 milionë lekë pa TVSH, ose 149.6 milionë lekë me TVSH.
Kontrata u nënshkrua më 12 dhjetor 2024, gjatë drejtimit të bashkisë nga Majlinda Bufi, ndërsa KLSH ka konstatuar se kompanitë fituese nuk përmbushnin të gjitha kriteret e përcaktuara në dokumentet e tenderit.
Sipas audituesve, në formularin e vetëdeklarimit të bashkimit fitues mungonte inxhinieri gjeodet, megjithëse prania e tij ishte një nga kërkesat për kualifikim.
Gjithashtu, kontratat e punës të paraqitura për një hidraulik kishin skaduar përpara zhvillimit të tenderit, ndërsa dy punonjës të deklaruar si punëtorë ndërtimi nuk figuronin në listëpagesat e kompanisë për muajin shtator.
Në dokumentacion është evidentuar edhe një mospërputhje për inxhinieren hidroteknike, pasi në vetëdeklarim figuronte një punonjëse, ndërsa në dokumentet fizike ishte paraqitur një tjetër.
Për KLSH-në, këto mangësi duhej të ishin evidentuar nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave përpara shpalljes së fituesit. Audituesit ngarkojnë me përgjegjësi anëtarët e komisionit dhe kërkojnë marrjen e masave administrative për shkeljet e konstatuara.
Por shkeljet më të kushtueshme, sipas audituesve, lidhen me zbatimin e kontratës.
Punimet për rezervuarin e Kurjanit nisën më 18 dhjetor 2024 dhe fillimisht duhej të përfundonin brenda gjashtë muajve.
Me kërkesë të sipërmarrësit, Bashkia Roskovec miratoi shtyrjen e afatit deri më 17 dhjetor 2025. Megjithatë, kompanitë nuk arritën ta përfundonin investimin as brenda afatit të ri.
Sipas KLSH-së, deri më 1 qershor 2026, punimet kishin regjistruar 165 ditë vonesë, ndërsa vlera e punimeve të mbetura pa u realizuar në afat llogaritej në 47.8 milionë lekë.
Bazuar në kushtet e kontratës, Kontrolli i Lartë i Shtetit përllogariti 31,540,553 lekë penalitete, të cilat kërkon të arkëtohen nga bashkimi i kompanive fituese.
Por këtu del në pah një tjetër problem: Bashkia Roskovec përllogariti një shumë shumë më të ulët se ajo e KLSH-së.
Ndërsa audituesit kërkojnë 31.5 milionë lekë, komisioni i ngritur nga bashkia e vlerësoi penalitetin në vetëm 8.3 milionë lekë, ose mbi 23 milionë lekë më pak.
Madje, mbikëqyrësi i punimeve propozoi një shumë edhe më të vogël, prej rreth 4.3 milionë lekësh.
Diferencat lidhen me interpretimin e kushteve të kontratës dhe periudhën e vonesave. Bashkia dhe kontraktorët argumentuan se një pjesë e punimeve ishte penguar nga përmbytjet, kushtet atmosferike dhe problemet me furnizimin me energji elektrike.
KLSH pranoi se këto pretendime kërkonin verifikim të mëtejshëm për përcaktimin e saktë të ditëve të vonesës që i atribuohen kontraktorit, por mbajti rekomandimin për arkëtimin e shumës prej 31.5 milionë lekësh, sipas dokumentacionit të shqyrtuar gjatë auditimit.
Probleme janë evidentuar edhe me dokumentimin e punimeve, pasi katër situacionet progresive nuk ishin shoqëruar me librezat përkatëse të masave, të cilat shërbejnë për të verifikuar sasitë e punimeve të realizuara.
Gjithashtu, audituesit konstatuan se nuk rezultonte të ishte përdorur mekanizmi i garancisë për ekzekutimin e kontratës, me vlerë rreth 15 milionë lekë, pavarësisht vonesave në realizimin e investimit.
Për këtë situatë, KLSH kërkon marrjen e masave për arkëtimin e penaliteteve, shqyrtimin e përgjegjësive të komisioneve të prokurimit dhe vlerësimin e sanksioneve administrative ndaj mbikëqyrësit të punimeve.
Gjetjet vijnë vetëm pak muaj pasi Majlinda Bufi doli e pafajshme nga një tjetër përballje me drejtësinë.
Më 1 korrik 2026, Gjykata e Posaçme rrëzoi akuzën e SPAK për përdorimin e funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore, të lidhur me zgjedhjet vendore të vitit 2023.
Prokuroria e Posaçme kishte kërkuar dënimin e saj me një vit e gjashtë muaj burg, me pezullimin e ekzekutimit dhe vendosjen në shërbim prove, por gjykata vendosi se akuza nuk ishte provuar.
Ndërsa ajo çështje përfundoi me shpalljen e pafajësisë në shkallë të parë, raporti i KLSH-së hap një tjetër debat për administrimin e parave publike nga Bashkia Roskovec.
Mbetet për t’u parë nëse konstatimet e Kontrollit të Lartë të Shtetit do të sjellin vetëm masa administrative dhe kërkesa për rikuperimin e parave, apo do të shërbejnë edhe si indicie për një hetim penal mbi mënyrën e zhvillimit dhe zbatimit të tenderit 150 milionë lekësh. /skyweb.al
















