Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka zgjidhur kontratën koncesionare të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, ndërsa mbetet e paqartë se kur kjo infrastrukturë do të nisë fluturimet.
Ministri Enea Karakaçi deklaroi se institucionet po vlerësojnë kushtet ligjore dhe kontraktore për të përcaktuar mënyrën se si do të vijojë projekti.
Sipas tij, aeroporti duhej të ishte funksional në shkurt të vitit 2026. Ky afat përfshinte përfundimin e ndërtimit, marrjen e licencave dhe gatishmërinë për nisjen e fluturimeve.
“Aeroporti duhet të ishte funksional në shkurt të vitit 2026, në bazë të kontratës. Dhe kur them funksional, nuk them vetëm i ndërtuar, por edhe operacional”, u shpreh Karakaçi.
Ministri tha se mosmarrëveshjet mes kompanive koncesionare vijuan të pengonin projektin. Ai e cilësoi situatën si një konflikt civil dhe kontraktor mes tyre.
Karakaçi shpjegoi se ministria kishte synuar fillimisht vijimin e projektit, duke e konsideruar aeroportin një infrastrukturë publike të nevojshme për vendin.
Gjatë procesit të zgjidhjes së kontratës, koncesionarët e paditën ministrinë në arbitrazh dhe kërkuan një masë të përkohshme për të ndaluar ndërprerjen e marrëdhënies koncesionare.
Sipas ministrit, gjatë shqyrtimit të kësaj kërkese, arbitri vlerësoi se ministria kishte të drejtë të zgjidhte kontratën.
Ai deklaroi se do të ndërmerren masat që lejojnë legjislacioni dhe kontrata për ta bërë aeroportin operacional, por nuk dha një datë për nisjen e fluturimeve.
“E kam të pamundur në këtë moment që t’ju them një afat, pasi ne jemi në fazë vlerësimi të kushteve të kontratës koncesionare dhe nuk dua të prononcoj një afat që mund të ishte i gabuar”, tha Karakaçi. /skyweb.al
















