Bordi i Transparencës ka vendosur uljen e çmimit maksimal të shitjes së naftës dhe benzinës në tregun vendas. Sipas vendimit të marrë këtë të enjte, 5 nëntor 2026, nafta do të tregtohet me jo më shumë se 210 lekë për litër, ndërsa benzina me 169 lekë për litër.
Për shitjen me shumicë, çmimi maksimal i naftës është përcaktuar në 198 lekë për litër, ndërsa ai i benzinës në 157 lekë për litër.
Çmimet e reja kanë hyrë në fuqi sot, në orën 13:45, dhe do të mbeten në fuqi deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, kur do të rivlerësohet situata dhe do të pasqyrohen ndryshimet e mundshme të çmimeve.
Bordi i Transparencës u ka tërhequr vëmendjen operatorëve të tregtimit me shumicë dhe pakicë për detyrimin e zbatimit të vendimit, duke paralajmëruar se në rast konstatimi të shkeljeve do të vendoset pezullimi i aktivitetit.
Vendimi është marrë në kuadër të masave për përballimin e situatës së veçantë në tregun e hidrokarbureve, të shpallur me vendim të Këshillit të Ministrave.
















