Çështja e pensioneve të emigrantëve shqiptarë në Greqi ka rikthyer debatin mbi ligjin që u kërkon 40 vite qëndrim të ligjshëm dhe të përhershëm në vend për të përfituar të plotë pensionin kombëtar.
Gazetari grek Christos Avramidis ka vënë përballë përgjegjësisë qeverinë greke, duke kërkuar ndryshimin e legjislacionit që penalizon mijëra emigrantë shqiptarë, të cilët kanë punuar për dekada në ekonominë greke.
Gazetari i ka drejtuar katër herë pyetje zëdhënësit të qeverisë, Pavlos Marinakis, duke kërkuar të dijë nëse ekzekutivi do të ndryshojë ligjin që lidh masën e pensionit kombëtar me vitet e qëndrimit në Greqi.
Avramidis ka theksuar se shqiptarët dhe emigrantët e tjerë kanë kontribuar për dekada në ndërtimin dhe zhvillimin e Greqisë, përfshirë ndërtimin e objekteve olimpike për Lojërat e Athinës në vitin 2004.
Shumë prej tyre kanë punuar në kushte të vështira, ndërsa disa kanë humbur jetën në aksidente në kantieret e ndërtimit.
Megjithatë, sipas gazetarit, sot këta punëtorë përballen me kufizime në pensione, pasi shteti grek u kërkon të provojnë 40 vite qëndrim të ligjshëm për të marrë shumën e plotë të pensionit kombëtar.
Problemi lidhet me faktin se mijëra shqiptarë që mbërritën në Greqi gjatë viteve 1990 nuk mundën të pajiseshin menjëherë me dokumente të rregullta qëndrimi.
Për rrjedhojë, edhe pse kanë jetuar dhe punuar për dekada në Greqi, një pjesë e këtyre viteve nuk u njihet në përllogaritjen e pensionit kombëtar.
Sipas legjislacionit grek, për çdo vit që mungon nga kufiri prej 40 vitesh, pensioni kombëtar reduktohet me 1/40 e shumës së plotë, ose 2.5%.
Gazetari ka kërkuar nga qeveria të sqarojë nëse do ta ndryshojë këtë dispozitë, të cilën ai e ka cilësuar diskriminuese ndaj emigrantëve.
Zëdhënësi Pavlos Marinakis ka pranuar kontributin e emigrantëve në ekonominë dhe shoqërinë greke, duke deklaruar se do të kërkonte informacion nga Ministria e Punës.
Por, sipas gazetarit, përgjigjja nuk ka ardhur menjëherë dhe ai është detyruar ta përsërisë pyetjen në katër konferenca për shtyp.
Në përgjigjen e përcjellë më pas, Ministria e Punës ka shpjeguar legjislacionin ekzistues dhe ndryshimet e miratuara në vitin 2022 për kategori të caktuara të emigrantëve të kategorizuar me origjinë greke.
Për këtë kategori, ku përfshihen edhe pjesëtarë të minoritetit grek nga Shqipëria, periudha e kërkuar e qëndrimit u ul fillimisht në 30 vite, me rritje graduale deri në 40 vite në vitin 2032.
Ndërkohë, për emigrantët e tjerë shqiptarë vazhdon të zbatohet rregulli i përgjithshëm i 40 viteve.
Avramidis ka kërkuar të dijë përse qeveria nuk zbaton një trajtim të ngjashëm edhe për emigrantët që kanë punuar dhe paguar kontribute për dekada në Greqi.
Megjithatë, sipas tij, edhe pas katër ndërhyrjeve, qeveria greke nuk ka dhënë një përgjigje të qartë nëse do të ndryshojë ligjin.
Ndërkohë, Nisma e Emigrantëve Shqiptarë dhe Solidarëve ka nisur mbledhjen e firmave për ndryshimin e legjislacionit të pensioneve.
Kërkesa kryesore është që masa e pensionit kombëtar të mos varet nga vitet e qëndrimit në vend, ndërsa periudhat e sigurimit në vendet e origjinës të përllogariten në mënyrë më të drejtë.
Çështja mbetet e hapur, ndërsa mijëra shqiptarë që kanë kaluar pjesën më të madhe të jetës duke punuar në Greqi presin një zgjidhje për të drejtat e tyre të pensionit. /skyweb.al















